Albin Kurti merr pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka udhëtuar mbrëmë drejt Tiranës për të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit. Sipas njoftimit të Qeverisë, në margjina të samitit, kryeministri Kurti do të ketë takime bilaterale, përfshirë atë me Kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz.

Presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen ka folur pasditen e djeshme lidhur sulmin e 24 shtatorit në Banjskë dhe situatën e tensionuar mes Kosovës dhe Serbisë. Gjatë konferencës së përbashkët për mediet me kryeministrin Rama, Ursula von der Leyen tha se Marrëveshja e Ohrit është baza për pajtimin nëpërmjet dialogut të BE.

“Është e shumë e rëndësishme që Kosova dhe Serbia të kthehen në tryezë për të normalizuar marrëdhënien e tyre dhe kjo është e vetmja mënyrë me anën e angazhimit dhe bashkëpunimit dhe vendi i duhur për këtë është dialogu”, deklaroi ajo në përgjigje të gazetarëve.

Sipas saj, kjo është rruga e duhur për të ardhmen pasi Kosova dhe Serbia do të jenë pjesë e BE. “Pra pajtimi angazhimi, bashkëpunimi tërësisht të domosdoshme dhe vendi për ta bërë këtë është dialogu”, tha Von der Leyen.