Spiropali-Bashës dhe Berishës: Zgjidhni hallet e shtëpisë tuaj, pastaj merruni me Kosovën!

Kuvendi i Shqipërisë vijoi seancën plenare këtë të enjte me debate mes mazhorancës dhe opozitës, por edhe me vetë opozitës. Gjatë replikës pas fjalës së Sali Berishës dhe Lulzim Bashës, të cilët kërkuan që çështja kryesore në këtë seancë të ishte Kosova, Spiropali reagoi duke u shprehur se nuk duhen futur interesat politike në çështjen e Kosovës dhe Shqipërisë.
Ajo i kërkoi opozitës që të zgjidhin hallet e shtëpisë e më pas të merren me problemet e Kosovës.
“Lulzim Bashës mund t’i shkojë përshtat ajo thënia në film, “memecit i erdhi goja”, por në këtë rast do ishte zoti Lulzim i erdhi goja në Kuvend edhe i erdhi hidhur sepse nuk mundet që në këtë foltore të merret me kryetaren e kuvendit, me kuvendin e Shqipërisë, me rregullat dhe kushtetutën, kur hallin nuk e ka as tek kushtetuta as tek kuvendi, por e ka tek shtëpia e tij .
Tentativa për të krijuar një narrativë me heronj dhe tradhtarë, të shitur dhe të blerë, është narativa më e rrezikshme dhe e dëmshme për Kosovën, nuk ka më të dëmshme se kjo që për interesat e partisë të fusni Kosovën dhe Shqipërinë. Ka kush i del për zot Kosovës dhe Shqipërisë. Zgjidhni hallet e shtëpisë pastaj merruni më çështjet e Kosovës dhe Shqipërisë. Problemet që keni po ndikojnë në mënyrën më problematike për çështjet tona, por doni ta eksportoni këtë gjuhë dhe problem edhe në Kosovë. Institucionet e Kosovës i dalin për zot Kosovës, edhe Shqipëria i ka dalë Kosovës, sepse nuk ka aleatë më të fortë Kosova se Shqipërinë. Do jemi aty për ta. Ju zgjidhni problemet tuaja dhe hajde flisni këtu për të zgjidhur hallet e Kosovës”, tha Spiropali.
Basha replikon duke i thënë se janë një shkelje e kushtetutës dhe krijojnë skema që nuk flasin për problemet e njerëzve dhe çështjen e Kosovës. Madje ai kërkon edhe llogari për interpelancën e kërkuar nga PD-ja në lidhje me deklaratën e kryeministrit Rama se “KFOR-i të marrë nën kontroll veriun e Kosovës”.

“Ka ardhur dita që të thuash atë që ke në mendje. Ju jeni shkelje e kushtetutës pikërisht për të bërë atë që keni bërë në Kukës. Krijoni skena të tilla sepse nuk doni të flisni për problemet e njerëzve, e për Kosovën. Ku e keni interpelancën e kërkuar nga PD-ja? E varrosët sepse nuk doni që kryeministri të vijë e të japë llogari se për deklaratën ‘KFOR-i të marrë në zotërim veriun’. KFOR-i ka në zotërim Kosovën e veriun për një ambient të sigurt, policia e ka mandatin e saj për luftën e krimit në Kosovë. Ditën teatër, natën kulla”, shprehet Basha.
Replikat Berisha-Spiropali
Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali ka replikuar ashpër me ish-kryeministrin Sali Berisha në sallën e Kuvendit.
Fillimisht, Berisha citoi Frojdin kur iu drejtua ministres.
Por në reagim e saj, Spiropali tha se Berishës i ka ngelur mendja te Frojdi dhe duke shtuar se atë (Berishën), Frojdi nuk do të donte kurrë ta kishte pacient. “Nuk ia vlen më të merresh me një burrë edhe në moshë i ka ngelur mendja te Frojdi”.
Sali Berisha: Këtu ka një përpjekje të turpshme, të pafytyrë për të mbuluar me zhurma, me mashtrime dhe gënjeshtra, deklaratën superskandaloze, deklaratën më armiqësore të bërë ndonjëherë jashtë Beogradit për Kosovën, se veriu i Kosovës është toka e askujt.
Ju nuk e mbuloni dot me asgjë, nuk e mbulon dot me asnjë lloj recitimi zonja Zilie Pali. E ka dashtë vetë, nuk ia kam vënë unë. Unë po flas me terma frojdianë, se po t’ia them me ato terma që ia thotë Rama, ju pastaj bërtisni, thoni shih sa vulgar është ky. Po flas me terma medikalë. Pra, nuk e mbuloni dot me asgjë këtë deklaratë të bërë vetëm një javë pasi ajo tokë u vadit me gjakun e atij që desh të bënte ligjin.

Nuk e zhbëni dot ju këtu vetëm një javë pasi djemtë trima me uniformë, vendosën të përballen me një grup terroristësh dhe ta përzënë me turp nga ai territor, që i thotë Edi Rama dhe Vuçiç se është tokë e askujt. Nuk e zhbëni dot, nuk e maskoni me asgjë, me asnjë skenar, me asnjë skllav, me asnjë peng, me asgjë tjetër, deklaratën që kërkon të shkëpusë veriun e Kosovës dhe ta kthejë në protektorat të NATO-s. NATO ka përçmuar me refuzim të plotë një deklaratë të tillë të Vuçiçit dhe pengut të Vuçiçit, argatit të tij. Nuk e zhbëni dot kërkesën e tij për të thirrur konferencë ndërkombëtare me Lavrovin.
Elisa Spiropali: Me atë që ka filluar të përmendë shumë Frojdin. Saliu mesa duket Frojdi na ka lënë sepse do dështonte përballë një pacienti si ty, dhe nuk ia vlen më të merresh me një burrë si ty që edhe në moshë i ka ngelur mendja te Frojdi.

Ne ramë dakord te kjo çështje që ka rëndësi kombëtare, duhet nga ky Kuvend të dalë një produkt i përbashkët dhe ramë dakord me një mocion me debat për plot 6 orë ku do kemi kohë të debatojmë dhe të dalim me një rezolutë që mishëron vullnetin e Kuvendit të Shqipërisë për të mbështetur sovranitetin, sigurinë e Kosovës dhe të drejtën e saj për të qenë e lirë e njohur dhe pavarur në arenën ndërkombëtare.
/Shqip.com