Reagime nga Maqedonia e Veriut pas zhvillimeve në Kosovë

Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi e ka cilësuar si zhvillim të paramenduar e destabilizues dhe ka thënë se vepimet e tilla janë të papranueshme.

Sipas tij, sulmi dhe vrasja e policit të Kosovës është tentativë për të nxitur krizë dhe konflikt me pasoja mbi paqen, stabilitetin dhe sigurinë e rajonit tonë.

“Dënoj ashpër sulmin ndaj forcave policore të Kosovës që la të vrarë efektivin Afrim Bunjaku dhe plagosi të tjerë në veri të Kosovës. Apeloj për kujdes dhe maturi, arrestim të menjërshëm të vrasësve, stabilizim të situatës, vendosmëri në rikthimin e rendit dhe ligjit dhe koordinim të ngushtë me komunitetin ndërkombëtar. Shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Bunjaku dhe uroj shërim të shpejtë të të plagosurve”, ka shkruar Grubi.

Kurse, ministri i jashtëm i Maqedonisë së Veriut dhe kryesuesi i OSBE-së, Bujar Osmani ka dënuar sulmin ndaj policisë së Kosovës ku si pasojë mbeti i vrarë një polic.

“Dënoj fuqishëm vrasjen e policit në detyrê në veri të Republikës sê Kosovës. Ngushëllimet e mia familjes dhe miqve të oficerit të vrarë me urimet më të mira për shërimin e shpejtë të të plagosurve. Ky akt dhune duhet të hetohet dhe të ndiqet tërësisht. Stabiliteti dhe siguria e Kosovës nuk do të cenohet nga aktet e dhunës. Siguria e qytetarëve është e para”, ka shkruar në facebook ministri Osmani.