Kulturë

Fahredin Shehu / Mallimi për një trohë dashuri

Fahredin Shehu / Poet
Fahredin Shehu / Poet

MALLIMI PËR NJË TROHË DASHURI

Ajo eshkë e fjetur ndër damarë
kur zemrat godasin- ashpër duke
u dashur për shumë mote, nuk del
nga gur gocani ku dorëzonjat kapen
në pranverën e herëshme pak
më vonë se gjarpëri të zgjohet
nga letargjia dhe fërkoj sytë me anason
vilet e rrushit sivjet u thanë e as
lulet e tyre erandje nuk liruan
kur ti lodhesh nga dita e rëndë
një re e imja shpirti të rri pezull
shoh si flen fëmijëshëm, në jermi
flet ndërdijshëm për ato kodrina
veshur me kaçuba kamelie Darjeeling
e unë sërish i shoh ato mësonjëset
që përhapin gjysmëdijen dhe fëmijët
tanë i mësojnë të gjysmë-dinë për jetën,
botën, respektin, dashurinë, madje
edhe etjen për dije
çfare ishte kjo avanturë në hamendësim
kur te ne banaliteti i të vërtetës shpalos
shtresat e shumëbojshme dhe në secilën
nga një portal hasmërie ju hapet
të gjorëve/gjysmëdijshmëve t’u vi hosh
si ajo pjesë e klerit ekzorcist profan
që dëbojnë Urtinë në hiatusin mes
jetës dhe krejt pas saj.

/Shqip.com