Krasniqi: Mbi 300 mijë familje do të detyrohen t’i blejnë librat për fëmijët, të pasigurt nëse do t’u rimbursohen ato të holla

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar pas vendimit të Ministrisë së Arsimit që këtë vit t’i transferojë mjetet financiare në llogaritë e prindërve, në mënyrë që ata t’i blejnë tekstet shkollore për fëmijët e tyre.
Krasniqi, tha se Qeveria Kurti “vetëm sa po kontribuon në thellimin e varfërisë së qytetarëve dhe rritjes së numrit të emigrantëve kosovarë”.
“Tani, përveç rritjes së kostos së jetesës, përmes rritjes së çmimit të energjisë e produkteve bazike ushqimore, papunësisë e korrupsionit masiv, prindërit e rënduar ekonomikisht nga keqqeverisja e këtij pushteti, duhet që të blejnë edhe librat për fëmijët e tyre”, ka shkruar Krasniqi.
Ai ka thënë se këtë çështje e ka zgjidhur rreth 15 vjet më parë ish-kryeministri Hashim Thaçi, duke e lehtësuar barrën e shkollimit të fëmijëve.
Sipas tij, mbi 300 mijë familje kosovare do të detyrohen t’i blejnë librat për fëmijët e tyre, “të pasigurt” nëse ndonjëherë do t’u rimbursohen ato të holla.
“Këtë çështje e kishte zgjidhur rreth 15 vite më parë ish-kryeministri Hashim Thaçi, duke u lehtësuar sadopak barrën e shkollimit të fëmijëve prindërve kosovarë, përmes sigurimit të librave falas. Kur ne po flasim për paaftësi qeverisëse – kjo është ajo për të cilën e kemi fjalën konkretisht. Dështimi për të përmirësuar jetën e qytetarëve në çfarëdo aspekti”, ka vijuar ai.
Ndër të tjera, sipas Krasniqit, kjo Qeveri përmes veprimeve, vetëm sa po e rëndon dhe po e bën më të papërballueshme mbijetesën e familjeve të vendit.
/Shqip.com