Kulturë

Fahredin Shehu / Pakohësia

Fahredin Shehu / Poet
Fahredin Shehu / Poet

PAKOHËSIA

Pandehja për jetën dhe vdekjen
del se është një tjetër hamendje
Njëshi ishte, është dhe do të jetë
Njëshmëri, kur ti zapton një trup
çfarëdo që të jetë ky
ai do të venitet njëlloj si avullohet
një bulë vese kur dielli hedh
ngrohtësinë- fuqinë që djeg si:
urrejtjen ashtu edhe dashurinë.

Orët që ju zbuluat, në Pakohësi nuk
ekzistojnë, as malli i grumbulluar aq
lakmueshëm dhe egërsisht i ndukur
nga Krijimi, që si një kondor copton
kurmën në majë kodre dhe e tëra
do t’i i kthehet Njëshit, njëlloj
si ujët e tërbuar i kthehen oqeanit

…dhe derisa ju tërboheni kur delja
e çon bishtin e nuk e vëreni se si dhia
gjithmonë përpjetë e mban dhe
derisa si ujqër hënës së plotë i ulërini
e ajo në të pesëmbëdjetën nuk ju vëren
madje

në orën e njëzetëepesë unë hesht dhe
kur kjo më rritet unë dëgjoj zile të imëta
ndër krahët e engjëjve që i fërfërinë
dhe më sjellin aromën e borzilokut,
çdo atom të mushkërive ma plotësojnë
dhe dritën verbuese që më pështjellë
si një batanie e flladitshme që ta
përjetoj një çast, oh veç një çast
PAKOHËSIE.

/Shqip.com