Kulturë

Fahredin Shehu / Ndërpres hidhërimin, por reja e zezë që mban pamjen time mbi kokë…

Fahredin Shehu / Poet
Fahredin Shehu / Poet

…NDËRPRES HIDHËRIMIN, POR REJA E ZEZË QË MBAN PAMJEN TIME MBI KOKË DO TË TË QËNDROJ DERISA DËRRASA E VARRIT TA MBULON TRUPIN E MAVIJOSUR

Kurrë mos hesht në injorancë dhe padrejtësi.
Varri do të na ofroj mjaftë hapësirë për heshtje
.

-Chritopher Hitchens-

I

Nesër një ditë e re do të agoj, me njerëz

të njejtë duke zvetnuar madje edhe vetëm

në mjegullnajën e epshit për të qenë

mbi re të zeza, të rëna një çikë mbi

faqen e dheut me gjak të shpërlarë ndër shekuj

më thanë: duhet të jesh një superegoist

me dhembje të tmerrshme të lukthit dhe

tëmthin që tajon lëngun blu që tretë çdo

gjë njerëzore. Çdo damar që iu dëshën mijëra

vjet zhvillim prej Vetëdijes unike të super

masës së errët të Shumnajës së Universit

për të qëndruar në ballë çmendisë masive

për ta udhëhequr jë vend që mezi është

ku burri e vret gruan, mjeku abuzon me pacientin

dhe na e pi gjakun e shoqi shoit, as

kafshohemi si ujqër për ta pshurrur së bashku

të mundurin e hordhisë. Sot më shterrojnë

dritën nga rryma e trurit dhe valët nga zemrat

që luajnë vallen e virgjërisë tek kjo barazohet

me naivitet dhe injorancë ndërkaq Ne

pos Dashuri-Mëshirës, emër tjetër nuk ka

as do të na duhet një kalorës zaptues tokash

të na nxë diellin me hijen e vet dhe të udhëtarëve

me betimin e dhënë çmendisë së kuqe për

njëfl farë bashkimi të kombit i cili mezi është

II

Mallkuar qoftë ajo ditë kur erdhe të më lusësh

me argatin të cilit besoje e ai punonte kundër teje

dhe forcë nuk kishte të të tregoj se Armenia

është qytetërim në vete, ka fenë, kulturën dhe

alfabetin e vet. Nuk arrita të tregoj se kur të vish

herën tjetër, nuk gjen njeri të disponuar të

ta hapë derën, e lere më ta lë gruan në shtrat ty

për të të berë djalë të mirë të babait të keq

mallkuar qoftë ajo ditë kur të tregova

sekretin e dashurisë për njeriun me sy të kaltër

fëmijë evolucioni me vetëm 70 000 vjet në moshë

e unë Teurg në inkarnimin e dhjetë

ashtu

siç më tha Martha nga Mexico: Plako fërko

me nefrit kapakun e kafkës, se ti je i bërë

për të dhënë dhe me këtë duhet të pajtohesh

mallkuar qoftë ajo thirrje që kumbonte si zë miku,

ndërsa unë mik mbeta e ti më shihje si palë. Kur të soset

rëra në klepsidrën e kolltukut dhe kur të merr malli të shohësh

plakun e universit të lashtë, i cili këtu parakalon

heshtshëm duke ma përpirë jetën për të ta nisur

së paku një të yshtur, të ta nis Asmodeun në ëndërr të

të torrturoj për ta shijuar gjithë lavën e tradhëtisë, ndize

një qiri të bardhë të larënë vaj ulliri por pa temjan sfumuar

III

Sot, derisa ende vajtoj për mikun i cili më

mësoi se të duash do të thotë të ndriçosh

udhët e errëta dhe sokaqet me kalldërme fallco

mos prit mëshirë, as gjum të qetë nuk do të kesh

as edhe një çast lumnie…kur do të të dhemb më së shumëti

e fëmija yt ta pështyen fytyrën e cila mezi është, e fëmija

si askush tjetër ta djeg mëlçinë dhe mushkëritë e bardha

t’i nxin. Nga vaji, mos më fajëso, as kur e merr tatëpjetën e ik

disa kufi t’ kalosh me shpresën se mallkimi ka territor

ka afat dhe ka mision. Jo! Jo! Mallkimi është vrimë e zëzë e universit

ku në të hyn si njeri e del veç si një spektër me të gjitha nuansat gri, ato

ende të paemërtuara deri në njëmijëvjeçarin e ri kur gjaku ynë

do të jetë kod, fjala jonë do të jetë valë, shikimi ynë do të jetë

komunikim, biologjia jonë do të jetë e programueshme dhe nëse

të kanë thënë se turizmi është kulturë, ose të kanë mashtruar

ose ti i mashtron kretenët e drapërit dhe çekiqit, ndërkaq ti je vetëm

një zhapi i cili do ta kompensoj një jetë të humbur

kot. Krejt kot. Pasi bien perdet edhe maskat hiçen dhe

ky palaço sërish do të vajtoj, gjatë, më gjatë se sa e herëshonte.

/Shqip.com