Fahredin Shehu / 28 petale

28 PETALE
Në mirësinë e qendrës
hapet trëndafili i kuq
me 28 petale që erëmojnë
si Erëmia- aroma të cilën
vetëm lehona e ndjen…
aroma e foshnjës së porsalindur
kur vrushkuj gjaku rrëmbejnë
kujtesën e jetëve të kaluara
dhe fryn një erë e lehtë
me talkum fletësh palme
shpërndahet gjithandej
të valëvit tërë qenien e cila
bëhet si flamuj të Nepalit me
lutje dhe shpresën se do ta
shpëtojnë Botën
Në mirësinë e kurorës
hapet trëndafili i bardhë
me 28 petale që erëmojnë
si Ozoni- aromë e mbarsur
me jetë entitetesh jo-njerëzore
të cilët ruajnë kujtesën e Gjithnajës
kur aromat e qendrës dhe kurorës
përdridhen në konop të përhirtë
që lidh si Chinvad këtë me atë botë
mëshiro të padijshmin edhe kësaj
radhe dhe gjysmë të dijshmen
gjysmëzonjën e cila nuk di përse
është këtu dhe pandeh parajsën
krejt kot.
/Shqip.com