Hajdari: 48 dosje të bizneseve të regjistruara në ARBK kanë emërime kundërkushtetuese

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, tha se gjatë kontrolleve 48 dosje të bizneseve të regjistruara në ARBK kemi emërtime kundërkushtetuese.
Hajdari, tha se pas riverifikimit dhe pezullimit të çertifikatave të biznesit për Klan Kosova SH.P.K. dhe ARTMOTION SH.P.K., është themeluar komisioni për verifikimin e dosjeve në ARBK.
“Përgjatë 10 ditëve gjatë këtij muaji korrik – 10.07.2023 deri më datë 19.07.2023, Komisioni ka riverifikuar 660 dosje të bizneseve të regjistruara në ARBK. Fokus i riverifikimit kanë qënë dosjet që kryesisht kanë prezantuar dokumentin personal me rubrikën vendi/shteti i lindjes, apo vendbanimi aktual me emërtime kundërkushtetuese”, ka shkruar ajo në Facebook.
“Si rezultat i riverifikimit të dosjeve, Komisioni ka konstatuar që, në 48 dosje të bizneseve të regjistruara në ARBK kemi emërtime kundërkushtetuese, ku në rubrikën vendi/shteti i lindjes apo vendbanimi aktual është shkruar: “Prishtinë – Kosovo Metohija, Serbia”, “Pejë – Republika e Serbisë”, “Gjilan – Serbia” “Gjakovë – Republika e Serbisë” etj”, ka vazhduar Hajdari.
Tutje, ajo tha se ARBK do të vazhdojë me zbatimin e ligjit edhe në këto 48 raste tjera, në të njëjtën mënyrë të trajtimit sikurse për Klan Kosova sh.p.k. dhe ARTMOTION sh.p.k.
Ndërkaq, thotë se pretendimet se MINT ka vepruar me qëllim që të kufizojë lirinë e medias apo me prapavijë politike, “janë tendencioze dhe plotësisht të pavërteta”.
/Shqip.com