Lushtaku: S’ka logjikë që një zv.kryeministër të sulmojë për aksion politik

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mergim Lushtaku, ka paralajmëruar padi ndaj zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, ministres Albulena Haxhiu dhe ministrit Hekuran Murati.

Kjo sipas tij, për sjelljet e tyre të dhunshme, ndaj tij dhe kolegëve të tij deputetë të PDK-së, në ambientet e kuvendit gjatë seancës.

“Nuk ka logjikë të sulmohet nga një zëvendëskryeministër për aksion politik. Ata mund të reagojnë në foltore siç vepron çdo përfaqësues i popullit, e jo në formën siç veproi ai, duke e marrë një pankartë të Albin Pinokios, që e paska penguar fort”, tha ai.

Ai tha se sulmi në Kuvend ishte i koordinuar nga Qeveria, të cilët sipas tij, ishin të gatshëm që të veprojnë në çdo formë për t’ua nënçmuar aksionin politik.

“Është pak e rëndësishme a do të më godasin apo do të më vrasin sepse ka me qëndru i fortë qysh ka qëndruar familja ime në kohën më të vështirë, në kohën e okupimit serb sepse me krenari e kemi mbrojtur çdo pëllëmbë të tokës së Kosovës. Do qëndrojmë të fortë me çdo aksion politik e demokratik edhe pse mundohen të na ndalin fjalën e lirë, protestën demokratike ata kurrë nuk do të mund të na ndalin”, ka thënë Lushtaku.

Tutje, ai tha se është goditur edhe me mjet të forta, ndërsa ironizon për ujin duke thënë se të gjitha kanë nevojë për fresim e “më së shumti kjo “Qeveri”.

Prandaj unë duke parë të gjitha këto sulme drejt meje dhe kolegëve të mi, ku një shishe me ujë komplet më është gjuajtur mua nga zëvendëskryeministri Bislimi, ku edhe ministrja Haxhiu erdhi më shtyu, dhe ministri Murati kishte një mjet të fortë, e natyrshëm edhe unë kam reaguar. Sa i përket shishes me ujë, besoj që të gjithë kanë nevojë për freskim, e më së shumti kjo Qeveri”.