PDK: Qeveria po mundohet ta fsheh bashkëpunimin me Radojçiqin

Partia Demokratike e Kosovës, ka dënuar ashpër, veprimin e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, ndaj deputetëve të këtij subjekti.
Sipas PDK-së, ishte pikërisht zëvendëskryeministri Bislimi i cili i pari e goditi me mjete të forta, shishe, deputetin Mërgim Lushtaku.
”Sikur të mos u mjaftonte fyerja që i bënë shtetit të Kosovës, veteranëve të UÇK-së, akterëve politik shqiptarë, popullit të Kosovës, para shërbëtorëve të Radojçiqit, sot, në Kuvendin e Kosovës, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi në vend që të ndihej i turpëruar dhe të jepte llogari për përgjimet, provokoi opozitën duke i hequr fotografinë që ata i vendosën në foltore”, thuhet në reagim.
Tutje, thuhet se futja e Policisë së Kosovës në Kuvend “nuk është lejuar të ndodhë as në momentin më të errët në historinë e Kuvendit të Kosovës, kur Lëvizja Vetëvendosje hidhte gaz lotsjellës dhe rrezikonte jetën e deputetëve”.
PDK, thotë se Qeveria Kurti, është duke tentuar “të fshehë koordinimin dhe bashkëpunimin me Millan Radojçiqin, po përdorë çdo mjet, edhe dhunën, ndaj deputetëve opozitarë. Ky Kuvend dhe kjo Qeveri nuk kanë më kurrfarë kuptimi dhe asnjëlloj kredibiliteti”.