BE pret që Kurti dhe Vuçiq të shkojnë në Bruksel pa kushte

Takimi i Brukselit mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq i ndërmjetësuar nga BE-ja - REUTERS/Johanna Geron/File Photo
Takimi i Brukselit mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq i ndërmjetësuar nga BE-ja - REUTERS/Johanna Geron/File Photo

Takimi i Brukselit mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq i ndërmjetësuar nga BE-ja - REUTERS/Johanna Geron/File Photo

Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që të pranojnë ftesën për pjesëmarrje në takimin e krizës në Bruksel, duke mos vendosur asnjë kusht.

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, ka ftuar Kurtin dhe Vuçiqin për një takim në Bruksel gjatë kësaj jave, në mes të tensioneve të rritura mes dy shteteve.

Zëdhënësi i BE, Peter Stano, tha se data e takimit nuk është caktuar ende pasi palët nuk e kanë pranuar pjesëmarrjen.

“Data nuk është caktuar ende sepse palët nuk e kanë konfirmuar pjesëmarrjen. Borrell pret një sjellje më të përgjegjshme nga dy liderët. BE pret që ata të vijnë pa kushtëzime. Blloku evropian po e përcjell situatën për të parë se a janë palët e gatshme për të gjetur zgjidhje”, tha Stano gjatë një konference për media.

Ndërkaq, presidenti i Serbisë veçse ka refuzuar të takohet me Kurtin. Megjithatë, ai tha se do të vendosë nëse “teknikisht do të paraqitem në atë takim”, duke shtuar se ky do të jetë një vendim i tij strategjik për të cilin do ta informojë opinionin.

Kurse, Kurti tha të hënën se fillimisht pret që shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd të takojë policët e Kosovës, dhe pasi të mësoj gjendjen e tyre, do të vendosë nëse do të pranojë ftesën e Borrellit për takim.