Kurti për vizitën në Bruksel: Do të vendos pasi ta mësoj gjendjen e policëve të kidnapuar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se në bisedime në Bruksel do të shkojë kur ta marrë vesh gjendjen e tre policëve të Kosovës, të cilët u kidnapuan nga forcat serbe.
Kurti sqaroi se do të presë vizitën e shefit të Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Jetish Jashari, në burgun e Kralevës aty ku po mbahen tre policët kufitarë.
Ai pohoi se kur t’i ketë të dhënat se si janë policët, do të marrë vendim nëse do të shkojë në takimin në Bruksel.
“Kam kërkuar takim për javën që shkoj, më patën thënë se duhet të deeskalohet gjendja, pastaj u kidnapuan tre policët tanë. Eskalimi u shtua dhe vetëm më pas u njoftova për një takimit ë radhës, që sjam i sigurt që është menduar për datën 22 apo 23 qershor për shkak të mesazheve të ndryshme. Dua të pres vizitën e ambasadorit Jetish Jasharit, në burg në Kralevë, kur t’i kem të dhënat nga kjo vizitë e tre policëve që po mbahen peng, po mbahen rob në serbi si hakmarrje, do ta marr vendimin “, ka thënë ai.
Ai tha se Jashari, do t’i vizitojë nesër tre policët e Kosovës, të cilët sipas tij po mbahen peng.
“Vizita është menduar për ditën e nesërme, unë do të jem në kontakt me ambasadorin tonë, për të kuptuar gjendjen e policëve po mbahen peng”, ka thënë ai.
Tutje, Kurti tha se për shtensionimin e situatës në veri, ka propozuar që gradualisht të zvogëlohet prania e njësisë speciale rreth objekteve komunale
“Për shkak se ka ekstremistë të ndryshëm dhe për shkak se ka grupe kriminale, duhet të ketë Polici të Kosovës në këto ndërtesa, unë kam kërkuar që Policia e Kosovës ta zvogëlojë numrin e policëve gradualisht, me sundimin e ligjit që bën që të përballen me drejtësi ata kriminelë që sulmuan KFOR-in dhe gazetarët. Për Policinë e Kosovës, çdo komunë është e njëjtë dhe veprimi i tyre bëhet duke u bazuar në Kushtetutë”.