KFOR ende s’ka informata se ku ishin policët kur u arrestuan

Për KFOR-in, mbetet e paqartë se ku ishin tre policët e Kosovës kur u arrestuan dy ditë më parë.

Përmes një komunikate, forca ndërkombëtare ushtarake e NATO-s, ka thënë të ketë rishikuar lokacionin e ngjarjes dhe ka biseduar me përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe autoriteteve të Serbisë.

“Bazuar në të dhënat në dispozicion, mbetet e paqartë se ku ishin zyrtarët policorë të Kosovës në momentin e arrestimit. Në këtë lokacion, afër Vijës Kufitare Administrative, si institucionet e Kosovës ashtu edhe autoritetet e Serbisë kanë` përgjegjësi të qarta për t’u koordinuar me KFOR-in. Ua rikujtojmë të dyja palëve përgjegjësitë e tyre sipas Marrëveshjes Ushtarako-Teknike në mes të Serbisë dhe KFOR-it dhe procedurat për koordinim ndërmjet Policisë së Kosovës, përfshirë Policinë Kufitare dhe KFOR-in”, thuhet në njoftim.

KFOR-i po ashtu ka përsëritur se FSK-ja nuk do të mund të vendoset në atë pjesë pa pëlqimin paraprak të komandanti të KFOR-it.

“U bëjmë thirrje të gjitha palëve që t’u përmbahen marrëveshjeve dhe procedurave për të bashkëpunuar me KFOR-in. Ne u bëjmë thirrje të dyja palëve të përmbahen nga retorika provokuese dhe të shmangin çdo veprim të njëanshëm që mund ta përshkallëzojë situatën në zonë”, thuhet në reagim të KFOR-it.

KFOR-i ka thënë se i mirëpret përpjekjet e komunitetit diplomatik për zgjidhjen e çështjes dhe mbështet dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizim raportesh dhe se do të vazhdojë ta kryejë mandatin si “reagues i tretë – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 për të siguruar mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes, për të mirën e të gjitha komuniteteve në Kosovë.