Shpërthime pranë stacioneve policore në Zveçan dhe Mitrovicë të Veriut

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për veriun, Veton Elshani, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se gjatë natës janë dëgjuar shpërthime në afërsi të stacioneve policore në Zveçan dhe në Mitrovicën e Veriut.

Elshani tha se me shumë gjasa bëhet fjalë për shok-bomba, teksa bëri të ditur se nuk ka të lënduar. Ai tha se një veturë e policisë është dëmtuar.

Zëdhënësi i policisë thotë se është hapur një hetim, por ende nuk ka të dyshuar.

Këto zhvillime po ndodhin në kohën kur tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, janë rritur.

Tensionet nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, nën asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve të serbëve lokalë.

Tensionet kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan, protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet janë lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët.