Mehaj: Veprimet e autoriteteve serbe janë manifestim i politikave agresore

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka thënë se përballë zhvillimeve të fundit në vend, Qeveria e Kosovës dhe institucionet e saj të sigurisë, janë të përkushtuara për t’iu përgjigjur sfidave të sigurisë si në veri, ashtu edhe në tërë territorin e Kosovës.

Me anë të një postimi në Facebook, Mehaj ka thënë se “komuniteti ndërkombëtar duhet t’i dënojë veprimet e Serbisë dhe t’iu qëndrojë deri në fund palëve prapa sipas gatishmërisë së tyre përkatëse drejt gjetjes së rrugëve të depërshkallëzimit në veri të vendit”.

“Veprimet e autoriteteve serbe janë manifestim i politikave agresore dhe hegjemone të Serbisë autoritare dhe pro-ruse në Ballkan. Çdo përpjekje për depërshkallëzim duhet të llogarisë edhe mungesën e vullnetit të Serbisë për këtë dhe veprimet e saj provokuese dhe nxitëse”, ka shkruar Mehaj.

Postimi i plotë:

Përballë zhvillimeve të fundit në vend, Qeveria e Republikës së Kosovës dhe institucionet e saj të sigurisë, janë të përkushtuara për t’iu  përgjigjur sfidave të sigurisë si në veri të vendit, ashtu edhe në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Bashkë me policinë e Kosovës dhe me të gjithë komponentët e sigurisë, vendorë dhe ndërkombëtarë, shteti i Kosovës do ta ruajë kompaktësinë e veprimeve në mënyrë racionale, përmes rrugësh institucionale dhe me qasje koordinuese gjithëpërfshirëse.

Kosova ka dalëzotësit e saj dhe ajo është e mbrojtur nga djem dhe vajza brenda dhe jashtë institucioneve. Kosova mbetet e pacenueshme dhe e vendosur në përpjekjen e saj legjitime dhe të drejtë për shtrirjen e sovranitetit dhe për të mbrojtur si territorin ashtu edhe qytetarët e saj.

Veprimet e autoriteteve serbe janë manifestim i politikave agresore dhe hegjemone të Serbisë autoritare dhe proruse në Ballkan. Çdo përpjekje për depërshkallëzim duhet të llogarisë edhe mungesën e vullnetit të Serbisë për këtë dhe veprimet e saj provokuese dhe nxitëse.

Komuniteti ndërkombëtar duhet t’i dënojë veprimet e Serbisë dhe t’iu qëndrojë deri në fund palëve prapa sipas gatishmërisë së tyre përkatëse drejt gjetjes së rrugëve të depërshkallëzimit në veri të vendit.

Me Republikën e Kosovës dhe për qytetarët e saj!