Kurti: KFOR-i nuk po njofton zyrtarisht për vendin ku u kidnapuan policët

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje ndërkombëtarëve të bëjnë trysni mbi Beogradin dhe ka bërë thirrje për lirimin e policëve.
Kurti, tha se është i befasuar nga heshtja e ndërkombëtarëve dhe nga KFOR-i.
“I bëjmë thirrje ndërkombëtarëve të bëjnë trysni mbi Beogradin dhe bëjmë thirrje për lirimin e policëve. Serbia nuk është që po na befason, nuk ka ndryshuar nga apetitet e saj. Ajo që po na befason është toleranca dhe heshtja e ndërkombëtarëve ndaj veprimeve të Serbisë, e cila vazhdimisht po kërkon destabilizim”, tha Kurti.
Ai tha se KFOR-i ka qenë në vendin e ngjarjes dhe se policët e kidnapuar kanë qenë thellë në territorin e Kosovës.
“Heshtja e tyre (KFOR-it) nuk i kontribuon as deeskalimit, as hetimit e as drejtësisë”, tha Kurti.
Tutje, ai tha se për arsye të sigurisë, janë shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë, duke kufizuar qarkullimin dhe kontrollin e automjeteve që vijnë nga Serbia.
“Cenimi i kufirit dje nga Serbia na detyron ta rrisim kontrollin kufitar, ku varësisht nga analizat e institucioneve të sigurisë mund të përfshijnë edhe ndalesat e qarkullimit në rastet kur vlerësohet se mund të përbëjnë rrezik apo s’mund të garantohet siguria”, tha Kurti.