MPB serbe mohon akuzat: Policët kosovarë u arrestuan në Rashkë

Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë ka dalë një konferencë për media pas ngjarjeve me policët e Kosovës.

Sipas sekretarit shtetëror të kësaj ministrie, Zheljko Brkic tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës janë arrestuar në zonën e fshatit Gnjilicë të komunës së Rashkës, më shumë se një kilometër në thellësi në territorin e Serbisë qendrore.

“Dua t’ju informoj se më datë 14.06.2023 në orën 12:38 në zonën administrative në drejtim të Kosovës, larg në thellësi të territorit të Serbisë qendrore, pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, njësiti antiterrorist i policisë speciale, gjetën dhe arrestuan tre pjesëtarë të të ashtuquajturës Policia e Kosovës”, ka thënë ky zyrtar.

Ai po ashtu konfirmon se tre pjesëtarët e PK-së ishin të pajisur me mjete të plota luftarake, të armatosur me “tri pushkë automatike, municion, pajisje GPS, harta dhe pajisje të tjera”.

“Ata kanë shkuar me veturë zyrtare Dacia Duster në vendkalimin alternativ Tresava Batnjik, kanë lënë mjetin dhe kanë vazhduar në këmbë përgjatë rrugës Orahovë-Gnjilicë, ku janë lokalizuar dhe arrestuar nga grupi antiterrorist i njësisë speciale të policisë së Ministrisë. Brendshme”, tha Brkic.

Tutje sekretari i kësaj ministrie ka thënë se pjesëtarët e MPB-së nuk kanë kaluar dhe nuk kanë qenë afër vijës administrative, duke mos e shkelur Rezolutën 1244 e as marrëveshjen ushtarako-teknike.

Ai ka shtuar se policia në bashkëpunim me prokurorinë kompetente do të vazhdojë punën e mëtutjeshme.