Krasniqi: ShBA dhe BE të zhgënjyer me Qeverinë

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, pas takimit me të dërguarin special të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, si dhe atë të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka deklaruar se vendi asnjëherë nuk ka ka qenë në një situatë që po e dëmton Kosovën, në raport me ndërkombëtarët.
Ai ka thënë se kurrë nuk ka parë një shqetësim kaq të madh të aleatëve ndërkombëtarë në raport me situatën në Kosovë.
“Diskutuam për zhvillimet e fundit, dëgjuam qëndrimet evropiane dhe amerikane, ku tashmë janë të njohura, dhe ku po ashtu përsëritëm qëndrimet tona si PDK. Shqetësimi për situatën aktuale është i madh, ne po shohim që nuk ka një lëvizje përpara, ka një situatë që është duke dëmtuar Kosovës në kuptimin e raporteve ndërkombëtare në radhë të parë me partnerët strategjik. Andaj ne kërkuam dhe shprehëm gatishmërinë tonë që të luajmë rolin tonë shtetërorë për të ruajtur relacionet e Kosovës me ShBA-në dhe BE-në”, ka deklaruar Krasniqi.
Krasniqi është pyetur nëse partia e tij i mbështet zgjedhje të jashtëzakonshme, ai është përgjigjur se në takim me emisarët “nuk është diskutuar për tema konkrete”.
“PDK-ja ka luajtur një rol të rëndësishëm, sidomos pas të premtes Qeveria pa konsultim në mënyrë të fshehur e pa koordinim kanë ndërmarrë veprime të cilat e kanë sjell këtë situatë. Por ne d të jemi në konsultim ditor edhe me kryetarët e Zubin Potokut dhe Zveçanit me partnerët ndërkombëtarë për të parë se cilat duhet të jenë veprimet e duhura për të shkruar përpara”, ka thënë tutje ai, raporton Dukagjini.
Ndër të tjera, ai ka thënë se për momentin ajo që është shumë e rëndësishme, është “moskrijimi i mundësive për përshkallëzim të situatës së sigurisë, ruajtja e qetësisë dhe rruga para nesh”.
Gjithashtu, Krasniqi ka thënë se është detyrë e krerëve të shtetit që të zgjidhin këtë situatë, jo të krijojnë më shumë probleme.