Komandanti i KFOR-it për situatën në veri: Kurti bëri veprime të njëanshme

Komandanti i KFOR-it Angelo Michele Ristuccia, tha se veprimet e kryeministrit të Kosovës, sa i përket situatës në veri, ishin të njëanshme.

Ai, kështu tha në një intervistë për gazetën italiane Corriere Della Sera.

“Vendimi i kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, për të vendosur kryetarë komunash me përkatësi etnike shqiptare të panjohur nga shumica serbe, pa marrë parasysh këshillat e komunitetit ndërkombëtar. Veprimi i dytë i njëanshëm i qeverisë ishte përdorimi i forcës pa u konsultuar me ne, duke bërë kështu të nevojshme ndërhyrjen tonë për të shmangur një tragjedi”, tha ai.

Tutje, ai tha se pavarësisht që nuk gjykon “vendimet politike,  ka për detyrë të shqetësohet për pasojat e tyre, të cilat në një kontekst kaq delikat mund të çojnë lehtësisht në përshkallëzim, siç e kemi parë”.

Ndër të tjera, ai tha se përgjegjësia nuk është vetëm e njërës palë, por që të dyja duhet të fokusohen në dialog dhe të zbatojnë marrëveshjet e arritura.