Kurti: Policia largohet kur bandat kriminale shkojnë në Serbi ose në burg

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se kryetarët e komunave të veriut duhet të vijojnë punën në ndërtesat komunale.
Kurti, tha se zyrtarët policorë do të largohen nga aty, kur bandat kriminale të tërhiqen, e që sipas tij, duhet “ose të shkojnë në Serbi, ose në burg”.
“Sot ne ndodhemi në një situatë të vështirë për shkak të grupeve të armatosura të cilët shtiren si protestues e në fakt janë banda kriminale në veriun e Kosovës, prej të cilëve duhet të çlirohet edhe Republika jonë demokratike dhe njëkohësisht edhe komuniteti serb dhe për këtë po ashtu e kemi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha Kurti për gazetarët të enjten.
“Mund ta paramendojë zvogëlimin e policisë në ndërtesat e komunave, kur të largohen këto banda kriminale, ata ose të shkojnë në Serbi ose në burg”, vazhdoi ai.
Kurti tha se kryetarët e rinj të komunave veriore, janë legalë dhe kanë legjitimitet, ndonëse jo të plotë.
“Unë besoj që kryetarët e zgjedhur janë kryetarë legalë të cilët kanë legjitimitet ndonëse jo të plotë për shkak të trysnisë së Serbisë që serbët t’i bojkotojnë zgjedhjet, trysni kjo e cila ka qenë me frikësime, kërcënime e shantazhe”, tha ai.
“Tani ata kandidatë që kanë garuar dhe kanë fituar, duhet ta bëjnë punën sepse për këtë paguhen dhe unë besoj që vendi i punës së kryetarit të komunës, duhet të jetë në ndërtesën publike të komunës sepse ndërtesa publike e komunës është ndërtesa e Republikës”, vazhdoi ndër të tjera kryeministri.