Kurti: S’mund të ketë normalizim me Serbinë pa njohje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve me Serbinë pa njohje.
Përmes një interviste për DW, Kurti thotë se duhet të trajtohet çështja e pakicave kombëtare.
“Tash çfarë duhet të bëjmë është t’i normalizojmë marrëdhëniet me Serbinë. Unë nuk them që njohja reciproke është e vetmja gjë që duhet të përfshijë marrëveshja, por njohja reciproke duhet të jetë në qendër. S’mund të ketë normalizim pa njohje, po ashtu duhet të trajtojmë çështjen e pakicave kombëtare, prandaj nuk duhet të ketë dallime të mëdha në mes pakicave kombëtare”, tha Kurti.
Për Asociacionin, Kurti thotë se është kërkesë e Serbisë dhe jo e serbëve.
“Asociacioni i Komunave mund të jetë mbi pikëpamjen zhvillimore pa harruar që Kosova e ka një asociacion të komunave. Unë nuk jam për të diskriminuar askënd, por as për ta favorizuar dikë tjetër. Asociacioni nuk është kërkesë e serbëve, por kërkesë e Serbisë”.
Kurti fol edhe për dialogun në Bruksel.
“Dialogu në Bruksel është dialog për statusin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë me synim të normalizimit të plotë e që duhet ta ketë në qendër njohjen reciproke. Nuk është dialog për statusin e Kosovës, por dialog për statusin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë”.
I pari i ekzekutivit thotë se imazhi i Kosovës në botë sot është më i miri prej se është shpallur pavarësia.
“Kosova njihet nga 117 shtete anë e mbanë botës dhe sot imazhi i Kosovës në botë sot është më i miri prej se e kemi shpallur pavarësinë. Në dy vitet e fundit kemi avancuar në 20 vende sa i përket luftimit të korrupsionit si pas organizatës TI. Për herë të dytë jemi të parët në Ballkan sa i përket sundimit të ligjit sipas ËJP-së.
Tutje, Kurti tha se kemi avancuar për 17 vende sa i përket lirisë së medias”.
/Shqip.com