Lajme

Konjufca: Ka momente që e shtrëngoj karrigen

Glauk Konjufca, kryetar i Kuvendit të Kosovës
Glauk Konjufca, kryetar i Kuvendit të Kosovës

Glauk Konjufca, kryetari i Kuvendit të Kosovës, ka treguar në emisionin DPT te Fidani në T7 se kur i mungojnë më shumë pjesëmarrjet në debate parlamentare.

Konjufca ka qenë njëri ndër deputetët që është përfshirë në shumë debate parlamentare ndër vite, por që prej marrjes së postit të ri, më shumë njihet për batuta që lëshon gjatë seancave dhe ikjes prej konfrontimeve.

Konjufca e pranon se i mungon debati kuvendar.

“Ka momente që e shtrëngoj karrigen”, thotë ai duke treguar edhe momentet kur i ndodh kjo.

“Ka momente kur dëgjon pretendime të pabazuara në debatin kur ka qëndrime karshi Serbisë që janë shumë pretendime të pabazuara”, shton Konjufca.

Njëri ndër nënkryetarët e VV-së po ashtu shton se tanimë është mësuar me pozitën e re dhe i lë debatet potenciale të kalojnë.

“Mu ka rritur imuniteti”, thotë ai me sarkazëm.

Tutje, kryeparlamentari ka treguar se nuk është i preokupuar për ndonjë pozitë në jetën e tij politike.

“Prej krejt kësaj përvoje politike 18 vjeçare kam zbulu një princip shumë të vlefshëm, çka kom mësua, nëse vallë kam mësua diçka, do të ishte që kurrë mos e mbanmendje, mos e ngarko vetveten dhe mos e qit si prioritet në angazhimin tënd politik pozicionin që ki me pas.

Shumë me rëndësi ish që ambicies me ja dhënë një përmbajtje tjetër prej formës së pozicionit, dmth përmbajtja me formën mos me pas kuptimin e pozitës, por më shumë  të tjerët me pas nevojë për atë pozitë, e jo ti me pas nevojë për atë pozitë”, tha Konjufca.

Sipas tij, pensionimin në politikë më së miri është ta japë populli i Kosovës.

“Nuk më preokupon diçka tjetër, njeriu kur e ka një qëllim, dhe kur ky qëllim është pozicioni atëherë vetëm për atë qëllim mendon. Kjo nuk e merr as kurrgjë hiq të energjisë time. Kështu kam qenë për qatë gjithë kohës. Kjo mendoj që është çelësi i funksionimit më të mirë në politikë.  Pensionimin më së miri është me dhënë populli i Kosovës. Në anën tjetër edhe kur je në disa angazhime qysh jemi na sot dhe ti me dhënë dorëheqje bash ajo është një far lloj cinizmi. I bjen unë e kryva temën e tash populli i Kosovës le të bën çka donë.

Kur thu po i du disa përgjegjësi, pastaj është cinike dhe e pandershme para popullit të Kosovës me thonë ditën e mirë kur ai nuk është i gatshëm me të thonë ditën e mirë”, tha ai.

/Shqip.com