Mediumi gjerman Spiegel: Pse ka trazira në Kosovë?

Serbët e Kosovës bllokuan disa rrugë në Kosovë gjatë fundjavës. Kamionët bllokuan qendrat e transportit në veri të vendit, pranë kufirit me Serbinë. Qindra serbë të Kosovës, disa prej tyre me sa duket të armatosur, thuhet se janë mbledhur rreth barrikadave dhe kanë paralizuar përkohësisht trafikun kufitar.
Në rajonin përreth qytetit të Mitrovicës, i cili është i banuar kryesisht nga serbë etnikë, thuhet se janë qëlluar makinat e policisë dhe forca e misionit të BE-së “EULEX” me granata dore.
Si u shkaktuan trazirat e fundit në veri të Kosovës?
Dejan Pantic, një ish-oficer i policisë kosovare me origjinë serbe, u arrestua javën e kaluar. Ministria e Punëve të Brendshme e akuzon atë se më 6 dhjetor ka organizuar sulm ndaj punonjësve zgjedhorë në Mitrovicë, të cilët është dashur të përgatisin zgjedhje të reja në rajon.
Serbët e Kosovës kërkojnë lirimin e tij dhe mbështetja vjen nga Beogradi. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq është shprehur në një deklaratë se ish-polici është i pafajshëm.
Cili është sfondi i debatit për arrestimin e Dejan Pantiçit?
Shumë serbë të Kosovës i regjistrojnë veturat e tyre në Serbi. Targat e huaja kanë qenë një bezdi për qeverinë në Prishtinë për një kohë të gjatë. Ajo dëshiron të prezantojë një sistem uniform të targave.
Kriza më e fundit ilustron problemin më të madh të Kosovës: pakica serbe nuk e njeh shtetin, i cili është i pavarur që nga viti 2008. Dhe kështu përpjekjet e kosovarëve për të krijuar një sistem uniform të targave dështuan vazhdimisht për shkak të protestave të pakicës serbe dhe mungesës së përgatitjes.
Për të parandaluar reformën e planifikuar të targave, qindra policë, dhjetëra gjyqtarë dhe madje edhe deputetë nga partia Lista Serbe dhanë dorëheqjen në nëntor. Futja e targave uniforme u pezullua pas ndërmjetësimit të BE-së, por tërheqja e serbëve të Kosovës la një vakum sigurie në veri të Kosovës.
Bashkimi Evropian dërgoi 135 policë nga misioni i BE-së EULEX në këtë rajon.

Në mënyrë që të paktën të ngrihej përsëri një parlament rajonal funksional, qeveria në Prishtinë planifikoi zgjedhje të reja për 18 dhe 25 dhjetor. Për shkak të trazirave të reja, presidentja Vosja Osmani tani e ka shtyrë këtë për në prill 2023.
Si po reagojnë BE dhe Serbia ndaj krizës?
Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell dënoi sulmet në Twitter. Të gjitha palët duhet të shmangin çdo “përshkallëzim” dhe të sigurojnë qetësi, shpjegoi ai.
Ndërkohë, Franca, Gjermania, Italia, Britania e Madhe dhe SHBA mirëpritën shtyrjen e zgjedhjeve të reja për në vitin 2023. Një deklaratë e përbashkët tha se shtyrja ishte një “vendim konstruktiv” që “përparon përpjekjet për të promovuar një situatë më të sigurt në veri”, shkruan Spiegel.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se do të dërgojë kërkesën në KFOR për dërgimin e 1 mijë ushtarëve dhe policëve serbë në Kosovë. Megjithatë, ai nuk pret që kjo të miratohet.
/Shqip.com