Mehaj:Periudhës së shantazheve, kërcënimit, i ka ardhur fundi

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit në veri të vendit.
Sipas Mehaj periudhës së shantazheve, kërcënimit, i ka ardhur fundi.
“I vetmi zhvillim i Serbisë këto 23 vite është përditësimi i politikës së Millosheviqit me metodat ruse të luftës hibride. Deklaratat e Vuçiq dhe Bërnabiq, me tentim destabilizimin e veriut të Republikës së Kosovës janë plotësisht të papranueshme. Periudhës së shantazheve, kërcënimit, i ka ardhur fundi”, ka thënë Mehaj.
Mehaj më tutje ka thënë se në Kosovë nuk do të lejohen veprimet e grupeve kriminale.
“Në Republikën e Kosovës nuk do të lejohet më veprimi i grupeve kriminale serbe që udhëhiqen nga Beogradi, e asnjë formë e ilegalitetit që pengon integrimin e komunitetit serb në veri të vendit, dhe që ka për qëllim sabotimin e institucioneve”, ka thënë Mehaj.
Sipa Mehaj, Republika e Kosovës synon të ardhme demokratike dhe prosperuese si pjesë e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, çdo përshkrim tjetër nuk përkon me realitetin tonë si shtet.
Gjatë ditës së djeshme, serbët në veri të Kosovës kanë vendosur barrikada me qëllim të pengimit të dërgimit të ish-policit, Dejan Pantiç drejt organeve të drejtësisë.
Siç kanë konfirmuar nga Policia, bllokimi i rrugëve ka ndodhur në Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok duke pamundësuar kështu lëvizjen e lirë dhe mallrat.
Po ashtu në Rudarë të Komunës së Zveçanit ata kanë vendosur dy kamionë me gurë.
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se Pantiqi dyshohet se ka organizuar sulm terrorist në zyrat e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve.
Krahas kësaj, me datën 8 dhjetor është plagosur një pjesëtar i Policisë së Kosovës në veri si dhe janë shënjëstruar policia në rrugën që shpie për në Bërnjak- Ata iu kanë kundërpërgjigjur sulmit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit në veri, ku janë sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës, duke thënë se agresionit do t’i përgjigjen me gjithë fuqinë që e ka Kosova si shtet.
Ai ka shkruar se shteti ynë është shtet evropian, që e dëshiron paqen dhe progresin.
Sipas tij, çdo mosdënim i vendosur nga ana e BE-së dhe ShBA-ve i kësaj dhune të orkestruar do të inkurajojë Beogradin zyrtar për më shumë nxitje për destabilizim të Kosovës.
Tutje, i pari i ekzekutivit ka bërë të ditur se ministri Sveçla është në kontakt të vazhdueshëm më Komandantin e KFOR-it dhe se barrikadat duhet të hiqen menjëherë.
Vlen të theksohet se zgjedhjet e paralajmëruar për 18 dhjetor në veri të Kosovës, janë shtyrë deri me 23 prill të vitit 2023.
Kurti ka theksuar gjithashtu se “tash që as targat e automjeteve dhe as datën e zgjedhjeve nuk mund t’i përdorin si pretekst, strukturat ilegale të Serbisë të shndërruara në banda kriminale u zbuluan në etjen e tyre për zjarr e gjak”.