NATO dënon ashpër sulmin ndaj patrullës së EULEX-it në veri

Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) ka reaguar lidhur me sulmin e mbrëmshëm ndaj patrullës së EULEX-it në veri të Kosovës.
Përmes një postimi në Twitter, zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungesku ka thënë se çdo sulm është i papranueshëm dhe përgjegjësi duhet të mbajë përgjegjësi.
“Ne bashkohemi me aleatët e NATO-s dhe Bashkimit Evropian në dënimin e ashpër të sulmit me granatë ndaj patrullës së EULEX-it mbrëmë. Çdo sulm i tillë është i papranueshëm dhe përgjegjësit duhet të mbajnë përgjegjësi”, shkroi Lungesku.
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka thënë që nuk do ta tolerojnë sulmin ndaj patrullës së EULEX-it në veri të Kosovës.
Ambasada e Italisë në Kosovë, i ka quajtur të pajustifikueshme këto sulme.
Kurse, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde ka thënë se sulmet ndaj ofruesve të sigurisë duhet të ndalen.
Krahas kësaj, edhe Shtete e Bashkuara të Amerikës e kanë dënuar sulmin.
Misioni i EULEX-it në Kosovë ka njoftuar se është hedhur një shok-bombë në drejtim të një patrulle të tyre mbrëmë në afërsi të Rudarit.
Misioni i EULEX-it në Kosovë ka njoftuar se është hedhur një shok-bombë në drejtim të një patrulle të tyre mbrëmë në afërsi të Rudarit.
EULEX-i për Shqip.com tha se nuk ka të lënduar por vetëm janë shkaktuar dëme materiale.
Gjatë ditës së djeshme, serbët në veri të Kosovës kanë vendosur barrikada me qëllim të pengimit të dërgimit të ish-policit, Dejan Pantiç drejt organeve të drejtësisë.
Siç kanë konfirmuar nga Policia, bllokimi i rrugëve ka ndodhur në Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok duke pamundësuar kështu lëvizjen e lirë dhe mallrat.
Po ashtu në Rudarë të Komunës së Zveçanit ata kanë vendosur dy kamionë me gurë.
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se Pantiqi dyshohet se ka organizuar sulm terrorist në zyrat e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve.
Krahas kësaj, me datën 8 dhjetor është plagosur një pjesëtar i Policisë së Kosovës në veri si dhe janë shënjëstruar policia në rrugën që shpie për në Bërnjak- Ata iu kanë kundërpërgjigjur sulmit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit në veri, ku janë sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës, duke thënë se agresionit do t’i përgjigjen me gjithë fuqinë që e ka Kosova si shtet.