Rakiq iu bënë thirrje serbëve që të lejojnë lëvizjen e KFOR-it dhe EULEX-it në veri

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq iu ka bërë thirrje qytetarëve serbë që të lejojnë kalimin e KFOR-it dhe EULEX-it në veri të Kosovës.
Përmes një njoftimi për media në faqen zyrtare të Listës Serbe, Rakiq ka kërkuar lirimin e serbëve të arrestuar me pretekstin se përballën me akuza të montuara.
“Ne, duam që bashkëqytetarët tanë të arrestuar të lirohen, sepse të gjithë janë të vetëdijshëm se këto janë akuza të montuara, por gjithashtu kërkojmë të parandalohet ndonjë ndërhyrje e policisë së Kosovës apo njësive tjera në veri të Kosovës. U bëj thirrje qytetarëve që të mundësojnë lëvizjen e KFOR-it dhe EULEX-it sepse prania e tyre është në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare të miratuara më pare”, thuhet në njoftimin e Listës Serbe.
Rakiq iu ka bërë thirrje serbëve që të mos bien ‘pre e provokimeve’ dhe duke thënë se janë pro paqes dhe dialogut të vazhdueshëm.
“Në emër të Listës Serbe dhe emrin tim personal ftoj të gjithë qytetarët në paqe dhe përmbajtje. Mos të biem preh e provokimeve. Të gjithëve na duhet paqe, dhe dialog i vazhdueshëm për t’i dhënë hapësirë negociatorëve që do të vinin në zgjidhjen e kësaj situate përmes dialogut dhe jo përmes lëvizjeve të njëanshme”.
Tek barrikadat të cilat janë ngritur në rrugët kryesore nga Zveçani në drejtim të Rudarit janë parë edhe ish-krerët e komunave veriore.
Mediat serbe raportojnë që në mesin e qytetarëve të pranishëm që tashme kanë ngritur edhe tendat e tyre në këto rrugë, janë ish-kryetari i Mitrovicës veriore, Aleksandar Spiriq, ish-kryetari i Komunës së Zveçanit, Dragisha Miloviq, drejtori i Qendrës Spitalore në Mitrovicën e Veriut, Zlatan Elek si dhe ish-drejtori i këtij institucioni, Milan Ivanoviq.
Afër barrikadave shihen shumë njerëz teksa mbulojnë fytyrat e tyre, raportimi i gazetarëve nga vendi i ngjarjes nuk është i lejuar nga serbet pasi të njëjtit sulmojnë gazetarët duke hedhur lëndë shpërthyese afër tyre dhe duke i ndjekur.
Barrikadat janë vendosur me qëllim të pengimit të dërgimit të ish-policit, Dejan Pantiç drejt organeve të drejtësisë.
Siç kanë konfirmuar nga Policia, bllokimi i rrugëve ka ndodhur në Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok duke pamundësuar kështu lëvizjen e lirë dhe mallrat.
Po ashtu në Rudarë të Komunës së Zveçanit ata kanë vendosur dy kamionë me gurë.