Teknologji

Kufje për muzikë dhe mbrojtje nga ajri i ndotur (Foto)

Kompania Dyson do të sjellë së shpejti modelin e ri të kufjeve, por që do të jenë ndryshe nga modelet standarde.

Përpos që përdoruesit do të mund të përdorin për dëgjim të muzikës, me to mund të mbrohen nga ajri i ndotur.

Kjo pajisje që do të quhet Zone, do të jetë fillimisht në shitje në SHBA me çmimin prej 949 dollarësh.

Sipas Dyson, filtrat elektrostatikë për pastrimin e ajrit, do të jenë të vlefshëm për 12 muaj.

Filtrat kanë një dizajn me dy shtresa që përfshin karbon të pasuruar me kalium për të mos lejuar hyrjen e gazrave me përbërje acidi si dyoksidi i azotit, dyoksidi i squfurit dhe ozoni.

Kompania pretendon se filtrat do të bllokojnë 99 përqind të grimcave, duke përfshirë edhe ato që janë aq të vogla sa 0.1 mikron.

Në pjesën e audios, kufjet janë të afta për mënjanimin e zhurmës deri në 38 decibel dhe mund të përdoren me aplikacionin shoqërues MyDyson për të zgjedhur midis tri mënyrave të barazimit të audios të quajtura Dyson EQ, Bass Boost dhe Neutral.

Jetëgjatësia e baterisë 2600 mAh, do të varet nga sa gjerësisht e përdorni funksionin e filtrimit të ajrit dhe mund të jetë e qëndrueshme deri në 50 orë kohë dëgjimi me një karikim të vetëm.

/Shqip.com