Lajçak flet pas arritjes së marrëveshjes, falënderon SHBA-në

Emisari i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi ka folur për arritjen e marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë për çështjen e targave.
“Falënderimet e mia sonte shkojnë në Besnik Bislimin dhe Petar Petkoviç, për angazhimin e tyre konstruktiv sot. Dhe një falënderim të madh për Departamentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe diplomacinë amerikane për mbështetjen e paçmuar”, ka shkruar Lajçak.
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbia ka bërë të ditur se Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për çështjen e targave.
Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi në Twitter.
“Ne kemi një marrëveshje! Me kënaqësi të njoftoj se kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë nën lehtësimin e BE-së kanë rënë dakord për masat për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për t’u përqëndruar plotësisht në propozimin për normalizimin e marrëdhënieve të tyre” ka bërë të ditur Borrell fillimisht.
Më tutje shefi i diplomacisë evropiane ka dhënë detaje të tjera për marrëveshjen.
“Serbia do të ndalojë lëshimin e targave me emërtimet e qyteteve të Kosovës dhe Kosova do të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve. Do t’i ftoj palët në ditët në vijim për të diskutuar hapat e ardhshëm”- ka shkruar Borrell.
Arritjen e marrëveshje e ka ka konfirmuar edhe Ambasadori i Kosovës në Belgjikë, Agron Bajrami.
“Pas orëve të gjata, arritëm objektivin tonë: kemi një marrëveshje! Tani mund të fillojnë bisedimet intensive për normalizimin e plotë” ka shkruar Bajrami.
Shefi i delegacionit kosovar në bisedimet me Serbinë, Besnik Bislimi, nuk ka dhënë detaje rreth marrëveshjes.
“Pas marrëveshjes së sotme, ne duhet të vazhdojmë bisedimet tona intensive për propozimin e BE-së, të mbështetur nga Gjermania dhe Franca, për normalizim të plotë të marrëdhënieve”, ka shkruar Bislimi në Tëitter.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e ka falënderuar ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier dhe Qeverinë Amerikane për angazhimin e tyre aktiv në arritjen e marrëveshjes së sotme në Bruksel.
Presidentja e vendit, përmes një postimi në Twitter ka thënë se mbështetja e ShBA’së në procesin e dialogut është e domosdoshme.
Tutje, presidentja Osmani tha se Kosova është mirënjohëse ndaj ShBA’së.