“50 vjet gjuhë, letërsi e kulturë shqiptare”

Katedra e Gjuhës dhe e Letërsisë Shqiptare e Fakultetit të Filologjisë “Bllazhe Koneski” e Universitetit “Shën Kirili e Metodi” në Shkup me rastin dy jubileve: 50-vjetorit të themelimit të saj, si dhe 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit të gjuhës shqipe organizoi Konferencën Shkencore Ndërkombëtare, në dy tema boshte:
- 50 vjet Gjuhë, Letërsi e Kulturë Shqiptare në Fakultetin e Filologjisë në Shkup;
- 50 vjet shkruajmë e flasim njësoj.
Në këtë konferencë morën pjesë studiues nga Kosova, Shqipëria dhe trojet tjera shqiptare.
Nga Kosova me fjalë rasti dhe kumtesa u paraqitën:
- Prof. dr. Hysen Matoshi, drejtor i Institutit Albanologjik-Prishtinë,
- Prof. dr. Linditë Rugova, dekanë e Fakultetit të Filologjisë – Universiteti i Prishtinës.
Ndërsa, nga Dega e Gjuhësisë e Institutit Albanologjik me kumtesa u paraqiten studiuesit:
- Prof. asoc. dr. Naim Berisha – shef i Degës
- Prof. ass. dr. Abdurrahim Maxhuni
- Prof. ass. dr. Shpresa Ismajli
- Prof. ass. dr. Sejdi Gashi

Naim Berisha, shef i Degës së Gjuhësisë të Institutit Albanologjik të Prishtinës
“Simbolike e jubileut të 50-të të themelimit të Katedrës së Gjuhës dhe e Letërsisë Shqiptare të Fakultetit të Filologjisë “Bllazhe Koneski” e Universitetit “Shën Kirili e Metodi” në Shkup, është e lidhur numerikisht dhe simbolikisht me jubileun e 50-të të Kongresit të Drejtshkrimit”, ka thënë për Shqip.com Naim Berisha, shef i Degës së Gjuhësisë të Institutit Albanologjik të Prishtinës.
Tutje, sipas tij, ky aktivitet ishte i një rëndësie të veçantë sepse mbahej në një Katedër të Gjuhës dhe të Letërsisë Shqiptare e cila për shumë kohë ka qenë e diskriminuar, e shantazhuar dhe e kërcënuar.
“Rrethanat në të cilat funksionoi nën presionin e pushteteve maqedonase të kohës nuk ishin aspak të lehta. Megjithatë, aty vazhdoi puna, u shkolluan gjenerata të tëra të studiuesve e albanologëve të suksesshëm, u vu themeli i dijeve albanologjike ndër shqiptarët e Maqedonisë”, ka thënë Berisha për Shqip.com.
“Sot, ndonëse për nga numri i personelit akademik dhe numri i studentëve nuk është e madhe, roli dhe rëndësia e kësaj Katedre është e veçantë dhe specifike”, tha Berisha.
Aty, brenda një universiteti maqedonas, sipas tij, shpalosen vlerat kombëtare e dijet albanologjike të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe më gjerë.
/Shqip.com