Lajme

Kreu i LDK-së takon Escobar-in, kritikon institucionet për mungesë koordinimi me SHBA-të

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka takuar të dërguarin e posaçëm të SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Abdixhiku ka kërkuar që Kosova dhe SHBA-të të nënshkruajnë ‘Kartën e Partneritetit Strategjik ndërmjet dy vendeve’.

“Kjo kartë bilaterale partneriteti, siguron avancimin e relacioneve mes dy shteteve në mbrojtje, politikë, energjetikë, edukim, ekonomi, kulturë e të drejta të njeriut. Karta në fjalë, avancon në nivel të ri marrëdhëniet bilaterale mes dy shteteve, siç dhe ofron dhe garanci të shëndosha për të ardhmen euroatlantike të Kosovës e regjionit. Z.Escobar i prezantuam dhe pikëpamjet tona mbi gjendjen e fundit të sigurisë në Kosovë, si dhe nevojën e koordinimit të ngushtë të institucioneve të Kosovës me SHBA-të dhe me partnerët e tjerë. Koordinimi i tillë është garanci për të kapërcyer të gjitha sfidat. Në frymën e diskutimit që pata sot në Departamentin e Shtetit, shpreh edhe një herë shqetësimin tim dhe të LDK-së për shkallën në të cilën institucionet e Kosovës e kanë degraduar raportin me Qeverinë amerikan”, ka thënë kreu i LDK-së.

Tutje Abdixhiku ka theksuar se për Kosovën, aleanca me SHBA-të është jetike, dërisa ka bërë sërish thirrje tek institucionet e vendit që të bashkëpunojnë ngushtë me SHBA-të dhe partnerët e tjerë, në funksion të shtrirjes së sundimit të ligjit në të gjithë territorin e Kosovës, të sigurisë dhe të prosperitetit për të gjithë.

/Shqip.com