Sport Shqiptar

Kosovës i pamundësohet pjesëmarrja në Botëror, Brahimi e ka një paralajmërim

Boksierët Taulant Jakupi e Donat Syla, trajneri Besim Brahimi e gjyqtari ndërkombëtar Latif Demolli do ta përfaqësonin Kosovën në Kampionatin Botëror të boksit për të rinj, i cili nga 14-26 nëntor nbahet në La Nucia të Spanjës.

Mirëpo, pjesëmarrja e Kosovës në këtë kampionat është pamundësuar nga vendi organizator, pasi Spanja nuk i ka pajisur me viza anëtarët e ekipit kosovar.

I kontaktuar nga Shqip.com, trajneri Besim Brahimi, ka thënë se kjo situatë është e papranueshme për Federatën dhe sportistët tanë.

“Është situatë që po na përsëritet tash e disa herë dhe kjo është vërtet e papranueshme. Pavarësisht se ne jemi të pranuar të barabartë me të tjerët në AIBA, boksierët tanë nuk po lejohen të marrin pjesë në garat më prestigjioze. Kjo është shumë demoralizuese, prandaj sa më parë duhet gjetur zgjidhje”, ka thënë Brahimi për Shqip.com.   

Ai nuk e pa përjashtuar mundësinë që boksierët kosovarë të mendojnë për alternativa tjera.

“Ne kemi punuar shumë për këtë Botëror dhe në momentet e fundit na pamundësohet pjesëmarrja. Taulant Jakupi ka qenë për përgatitje speciale në Gjermani dhe e gjithë puna i ka shkuar huq. Prandaj, për të mos shkuar huq mundi, kur garat janë në vendet që nuk e njohin Kosovën, ne do ta shqyrtojmë mundësinë për ta përfaqësuar Shqipërinë”, ka theksuar përzgjedhësi Brahimi.

Ndërkohë, Federata e Boksit të Kosovës (FboxK) ka bërë të ditur se ka kërkuar sqarime nga Federata Botërore e boksit (AIBA) për mospajisje me viza derisa beson se politika nuk duhet t’i ndalojë sportistët tanë të marrin pjesë në këtë Botëror.

“Kjo nuk është hera e parë që ne si pjesë e Federatës Botërore IBA nuk lejohemi të marrim pjesë në ngjarje botërore, pasi diçka e tillë ka ndodhur edhe më parë në Indi, Serbi, e tash në Spanjë dhe ndjehemi të diskriminuar”, shkruan në komunikatën e FBoxK.

/Shqip.com