Gjuriq: Qeveria e Kosovës është antiamerikane, duke shkaktuar kaos dhe destabilizuar krahun juglindor të Evropës

Ambasadori i Serbisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Marko Gjuriq ka komentuar zhvillimet e fundit në pjesën veriore të vendit.
Sipas Gjuriq, Qeveria e Kosovës është antiamerikane, duke shkaktuar kaos dhe destabilizuar krahun juglindor të Evropës.
“Veprimet më të fundit radikale të qeverisë së Kosovës (ndalimi i serbëve për të votuar në zgjedhjet e përgjithshme, ndalimi i targave serbe dhe refuzimi i reciprocitetit, heqja dorë publike nga marrëveshja e komunitetit/komunitetit të shumicës serbe e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe SHBA-ja, duke injoruar thirrjet publike nga më të lartat e SHBA-së dhe Zyrtarët e BE-së dhe duke luajtur me zjarrin në tokë) janë anti-amerikanë, anti-BE dhe anti-serbe. Ata janë edhe antishqiptarë”, theksoi Gjuriq.
Gjatë ditës së sotme në pjesën veriore të vendit pritet të mbahet një protestë.
Kjo protestë vjen vetëm një ditë pasi që Lista Serbe njoftoi për largimin nga institucionet e Kosovës.
Protesta nis në ora 12:00 dhe pritet të mbahet para përmendores së “Car Llazrit”.
Kujtojmë po ashtu se gjatë ditës së djeshme, policët serbë në Veri kanë dorëzuar detyrën, duke zhveshur uniformat e Policisë së Kosovës.
Kryetari i Listës Serbe dhe ministër në Qeverinë e Kosovës, Goran Rakiq ka dhënë dorëheqje nga pozita e ministrit për Komunitete dhe Kthim, ndërsa përfaqësuesit tjerë të serbëve dhanë dorëheqje edhe nga pozita e deputetëve, kryetarëve të katër komunave në veri të Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka ftuar qytetarët serbë ta ruajnë qetësinë e sigurinë.
Sipas tij Lista Serbe është vegël e presidentit Vuçiq, që e kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës.
Rakiq tha se këto vendime do të jenë në fuqi derisa Qeveria e Kosovës të tërheqë vendimin për tabelat dhe të formojë Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe.
Në anën tjetër, Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje të dyja palëve të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm, i cili mund të çojë në tensione të mëtejshme