Lista Serbe me thirrje për qytetarët në veri që nesër të shpallin Serbinë si shtetin e tyre

Përfaqësuesit e Listës Serbe ftuan të gjithë qytetarët, serbët, por edhe boshnjakët, goranët dhe të gjithë të tjerët që e perceptojnë Republikën e Serbisë si atdheun e tyre, të vijnë dhe të jenë pjesë protestes paqësore dhe demokratike.

Siç shkruan Tanjug, në Mitrovicën Veriore nesër në mesditë do të mbahet një mbledhje publike pranë monumentit të Princit Llazar, që tashmë është ngritur skena nga e cila do të flasin folësit.

Kurse e gjithë Mitrovica është mbuluar me flamuj të Serbisë, ndërsa trengjyrëshi serb është shtrirë në të gjithë gjatësinë e një ndërtese aty pranë.

“Vëllezër dhe motra, të gjithë të mblidhemi nesër në një mbledhje të përgjithshme në Mitrovicë në orën 12, para monumentit të Car Llazarit, prej nga do t’i themi Evropës dhe botës me një zë se vendi ynë i vetëm është Serbia dhe presidenti Aleksandar Vuçiq! Të tregojmë sa e duam Serbinë. Flamujt në dritare!!!”, thuhet në një postim të Listes Serbe.