Kulturë

Mediat botërore shkruajnë për gjarprin më helmues që u fotografua në Kosovë

Fotografi i "Viperës me brirë", Liridon Shala

Fotografia e “Viperës me brirë” e realizuar në rajonin e Prizrenit të Kosovës është përzgjedhur si observim i javës nga media që u dedikohet naturalistëve nga e tërë bota, iNatyralist.

Liridon Shala, që pasion ka fotografimin e botës së egër tha për Shqip.com se “Vipera me brirë”, njihet si gjarpri më helmues në Evropë.

“Njihet si gjarpri më helmues në Evropë, edhe përkundër kësaj është një gjarpër shumë i ndrojtur, nuk sulmon asnjëherë i pari, përjashtuar rastet kur ndjehet i rrezikuar. Mesatarisht ka një gjatësi prej 95cm, ngjyrë të kaftë dhe një vizë zigzage përgjatë tërë trupit, sy me ngjyrë ari, si dhe një hundë të ngritur në formë briri prej nga e merr edhe emrin”, tha Shala.

Shala, i cili ka kohë që “studion” në terren botën e egër, mjedisin e Kosovës e konsideron mjaft të pasur sa i përket botës së egër dhe diversitetit të kafshëve.

“Jemi mjaft të pasur me shumëllojshmërinë e specieve, Kosova është mjaft e vogël për ta ndarë në regjione, pak a shumë janë të gjitha të pasura me përjashtime të vogla. Për shkak të vendit ku jetoj, më shpesh frekuentoj rajonin e Prizrenit dhe Drinin e Bardh në rajonin e Hasit ku has shumë specie. Aty kam identifikuar dhe dy specie te reja për vendin tonë”, u shpreh tutje ai.

Për të, periudha më e mirë për të fotografuar kafshët është mëngjesi e sidomos në stinët e pranverës dhe verës.

Shala tha se fakti që një observim nga Kosova ka triumfuar nga mijëra observime të botës brenda ditës e bën të ndjehet më të lumtur e krenar.

/Shqip.com