Lajme

SBASHK-u për ndërprerjen e grevës në disa shkolla: Mësimdhënësit po dalin kundër vetvetes

Ilustrim

Tash e katër javë sistemi arsimor publik në të gjitha nivelet në Kosovë ka hyrë në grevë deri në një afat të pacaktuar.

Çerdhet, shkollat fillore, shkollat e mesme dhe universitetet po vazhdojnë të jenë të mbyllura kjo pasi ende nuk ka asnjë marrëveshje mes Sindikatave të Bashkuara të Arsimit (SBASHK) dhe Qeverisë së Kosovës.

Anipse greva po vazhdon që nga 25 gushti, disa shkolla në vend kanë nisur procesin mësimor kështu duke mos ju bindur më SBASHK-ut.

Kryetari i Këshillit Grevist të SBASHK-ut, Reshit Kushaj tha për Shqip.com se nuk kanë qenë të njoftuar për ndërprerjen e grevës nga disa shkolla të vendit.

“Nuk bisedojmë me ata që e ndërprejnë grevën. Ata (mësimdhënësit) kurrfarë njoftimi me shkrim nuk na kanë dhënë për ndërprerje të grevës”, u shpreh ai.

Kryetar i Këshillit Grevist të SBASHK-ut, Reshit Kushaj

Ndërprerja e grevës nga disa shkolla në vend, nga SBASHK-u po shihet e paarsyeshme.

Sipas Kushajt, greva po bëhet për mësimdhënësit dhe me pëlqim e miratim të këtyre të fundit.

“Qëndrimi jonë është se ata është mirë me qenë me grevën sepse përfitues nga greva do të jenë edhe ata që po punojnë. Mirëpo nuk është mirë me thy grevën sepse ne kemi hyrë me kërkesën e tyre në grevë nuk kemi hyrë vetë”.

Ndërsa, shton se me ndërprerje të grevës, disa mësimdhënës kanë dalë kundër të drejtave të tyre.

“Ata (mësimdhënësit) e kanë shkruar një formular ku janë deklaruar se i mbështesin kërkesat e SBASHK-ut e mbështesin edhe grevën si opsion për realizim të kërkesave. I kemi nënshkrimet e të gjithëve, tash pse ata dalin kundër vetvetes, ne nuk jemi Burdusha me i shëndoshë ata”, përfundoi Kushaj.

Theksojmë se përveç mësimdhënësve, në grevë janë edhe punonjësit e administratave të institucioneve publike.

Ata po kërkojnë miratimin në Kuvendin e Kosovës të Ligjit të Pagave, i cili do t’i rregullonte pagat në sektorin publik në bazë të një hierarkie të detyrave, por deri në miratimin e tij, kërkojnë shtesa në pagë prej 100 eurove në muaj.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci deklaroi se mësimi duhet të fillojë.

Ndërsa ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati paralajmëroi se shteti nuk do t’ua paguaj mungesat asnjë sindikalisti që është në grevë dhe për secilën ditë atyre do t’u zbritet në pagë, derisa shtoi se për rimbursimin e tyre e ka obligim sindikata dhe jo shteti.

Në cilat shkolla po zhvillohet procesi mësimor?

Në Komunën e Prishtinës, mësimi po zhvillohet në pesë shkolla.

Sh.F.M.U ”Shtjefën Gjeqovi”, shkolla speciale “Përparimi”, pesë mësuese në SH.F.M.U “Faik Konica”, dy mësuese në Sh.F.M.U “Ismail Qemail” dhe një mësuse në Sh.F.M.U “Dardania”.

Ndërsa në Komunën e Gjakovës mësimi po zhvillohet në shtatë shkolla.

“Shkolla fillore “Mustafa Bakija”, Sh.F.M.U ” Fehmi Agani” cikli i ulët, Sh.F.M.U ” Emin Duraku” cikli i ulët, SH.M.U ” Yll Morina” pjesërisht, Sh.F.M.U ” Fan S.Noli” fshati Dujakë si dhe Sh.M.U “Mazllum Këpuska” e po ashtu edhe Sh.F.M.U “Kelmend Rizvanolli”.

Listës së shkollave që po vazhdon mësimi, i është bashkuar edhe Gjimnazi “Hivzi Sylejmani” në Fushë Kosovë./Shqip.com