Ministrja e Drejtësisë thotë se për herë të parë nga paslufta u formua Instituti për dokumentimin e krimeve të luftës – reagon opozita
Kosova për herë të parë që nga paslufta do të bëhet me Institut që do të merret me hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve të luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidit.
Kështu ka thënë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu përmes një njoftimi të publikuar në Facebook.
“Për herë të parë që nga paslufta, Republika e Kosovës do të ketë institut që do të merret me hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit”, ka shkruar ajo.
I menjëhershëm ka qenë reagimi nga partia opozitare Partia Demokratike e Kosovës.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka thënë se një institut i tillë është themeluar qysh para 11 vjetësh.
Madje, ajo ka listuar edhe emrat e anëtarëve të këtij Instituti.
“Emra të repektuar si prof. Zejnullah Gruda, prof. Pajazit Nushi, prof. Ismet Salihu, prof. Fejaz Granqolli ishin anëtarë të këtij Instituti.
Po ashtu, Instituti kishte edhe statutin e vet, por edhe pati grumbulluar dokumente dhe ishin bërë edhe publikimet e para, brenda dhe jashtë Kosovës”, ka shkruar Deliu-Kodra.
Theksojmë se vendimi për themelimin e Institutit është marrë më 14 shtator nga Qeveria e Kosovës.
Qeveria miratoi Projektligji për Institutin e Krimeve të kryera gjatë Luftës në Kosovë, që përcakton themelimin, organizimin, funksionimin dhe përcaktimin e kompetencave të Institutit për krimet e kryera gjatë Luftës në Kosovë, i cili do të funksionojë si Agjenci në kuadër të Zyrës së Kryeministrit./Shqip.com