Lajme

Kurti-Osmani: Që nga sulmi i 11 shtatorit, Kosova i ka qëndruar pranë Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Në nder të viktimave të sulmit terrorist të 11 shtatorit të vitit 2001 në SHBA, presidentja Vjosa Osmani bashkë me kryeministrin Albin Kurti dhe zv/ambasadorën e SHBA-së, Alyson Grunder kanë bërë homazhe te memoriali “Kosova kujton”

Kryeministri Kurti përmes një postimi në rrjetin social në Facebook është shprehur se mjafton të përmendim datën 11 shtator dhe ne kthehemi menjëherë në atë ditë të errët.

“Amerika po sulmohej! Një vrull ndjenjash të përziera mes frikës, zemërimit dhe pafuqisë për t’i dalë në ndihmë vendit që ndali gjenocidin dhe na ndihmoi të fitonim lirinë, përcillnin pamjet apokaliptike të rrëzimit të rrokaqiejve binjakë në New York dhe të shkatërrimit të një pjese të Pentagonit, në afërsi të kryeqytetit amerikan, Washington, D.C. Pavarësisht se sa vite kalojnë, mjafton të përmendim datën 11 shtator dhe ne kthehemi menjëherë në atë ditë të errët”, është shprehur Kurti.

Kurti është shprehur se po ashtu se ata që sulmuan shpresuan që përmes frikës do ta dobësonin Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Ata që sulmuan shpresuan që përmes frikës dhe terrorit ta dobësonin, por ShBA-të qëndruan këmbëngulëse dhe dëshmuan se asnjë akt terrori nuk ndryshon karakterin e kombit amerikan të themeluar mbi besimin se të gjithë janë të krijuar të lirë dhe të barabartë.  Ne sot bashkëndjejmë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe së bashku do të sigurohemi që terrorizmi dhe ligësia nuk do të triumfojnë kurrë”, është shprehur Kurti.

Foto nga homazhet

Ndërsa e para e vendit, Vjosa Osmani në fjalën e saj është shprehur se sot ne i bashkohemi të gjithë popullit amerikan për të ndarë dhimbjen e humbjes së 3 mijë qytetarëve amerikanë.

“Sulmi i 11-të shtatorit ishte njëri ndër sulmet më terroriste në historinë e njerëzimit. Atë ditë nuk u atakua vetëm Amerika. Që nga ajo ditë populli i Kosovës ka qëndruar me popullin amerikan. Kosova do të vazhdojë të qëndrojë përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, është shprehur Osmani.

Zv/ambasadorja e SHBA-së, Alyson Grunder ka thënë së është nderë që gjendet në Kosovë në përkujtimin e 11-të shtatorit.

Pllaka përkujtimore

“Jemi thellësisht mirënjohës Kosovës për solidaritetin në përkujtim të kësaj ngjarje. Falënderoj kryeministrin Kurti, presidenten Osmani”, është shprehur Alyson.

Sot behën 21 vjet nga sulmet e 11-të shtatorit./Shqip.com