Rozë

Presidenti Begaj dekoron këngëtaren Rita Ora me titullin ‘Naim Frashëri’

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora që nga dje po qëndron në Tiranë, për të mbajtur nesër koncertin falas që kishte paralajmëruar kohë më parë.

Pas takimit të djeshëm me Erion Veliajn, sot Rita ka takuar presidentin Bajram Begaj.

Presidenti Bajram Begaj dekoroi me Titullin “Naim Frashëri” artisten e mirënjohur Rita Ora. Kreu i shtetit gjatë ceremonisë tha se nderimi mbart vlerësimin e çdo artdashësi në Shqipëri, Kosovë dhe kudo në botë.

Ai në profilin e tij në Facebook më pas ndau fotot me këngëtaren gjatë ceremonisë teksa nuk munguan fjalët e bukura drejtuar Rita Orës.

“Kënaqësi të nderoja sot me titullin e lartë “Naim Frashëri” artisten e mirënjohur Rita Ora, për kontributin e dhënë në lartësimin e vlerave artistike dhe njerëzore përmes artit. Mirënjohje për aktivitetin dhe rolin e saj si ambasadore në çështje me ndjeshmëri të lartë kombëtare dhe globale.

Shpreha konsideratën time për të gjithë përkushtimin e saj për artin dhe kulturën. E inkurajova që të sjellë për botën, por edhe për kombin tonë 🇦🇱 shembullin se si arti vendos ura komunikimi në të gjitha dimensionet, bashkon njerëzit dhe shëron zemrat”, ka shkruar Begaj.

Ditën e djeshme, Rita po ashtu zbuloi se në vitin 2023 do të sjellë albumin e ri si dhe do të jetë pjesë e një filmi, por pa zbuluar detaje rreth filmit./Shqip.com