Serbia nuk u dha leje Bislimit e Sveçlës ta vizitonin Preshevën, Arifi e Kamberi s’ishin në dijeni
Zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla iu është ndaluar vizita për në Komunën e Preshevës nga ana e autoriteteve serbe.
Kështu ka thënë për Shqip.com kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafi.
Siç sqaron Mustafi “vizita ka qenë e paraparë dhe e përgatitur për të hënën, porse është anuluar për shkak se të njëjtëve iu është refuzuar leja”.
Ai tha se Bislimi dhe Sveçla në agjendë kishin për të takuar përfaqësuesit institucional e politik të shqiptarëve në Luginë të Preshevës.
Ata, do të takoheshin edhe me “bizneset, shoqatat, organizatat jo qeveritare dhe personalitetet e shquara”, tha Mustafi.
Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi tha për Shqip.com se nuk ka qenë i informuar për vizitën e mundshme të Bislimit dhe Sveçlës.
“Nuk kam pas informacion për këtë vizitë”- u shpreh shkurt Arifi.
Në dijeni nuk ishte as deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi.
Ai i tha Shqip.com se askush nuk e ka njoftuar për këtë vizitë.
Madje, thotë se lajmin e mori vesh nëpërmjet raportimeve nga mediat./Shqip.com