Lajme

Osmani takon ambasadorin austriak, diskutojnë për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani është takuar me ambasadorin austriak në Kosovë, Christoph Weidinger me të cilin bisedoi për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës.

Siç ka njoftuar zyra e presidencës, në këtë takim Osmani kërkoi nga Bashkimi Evropian të jetë më i zëshem karshi tendencave destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe rajon.

“Në takim u diskutuan zhvillimet e fundit në veriun e Kosovës. Presidentja Osmani ka ritheksuar se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara ta vazhdojnë koordinimin e plotë me partnerët ndërkombëtarë, ashtu siç janë koordinuar edhe deri më tani. Presidentja Osmani kërkoi që Bashkimi Evropian të jetë më i zëshëm karshi tendencave destabilizuese të Serbisë në Kosovë e rajon”, thuhet në njoftimin e ZP-së.

Barrikadat në veri/ 31 korrik dhe 1 gusht 2022

Në këtë takim, Osmani ka theksuar se Kosova mbetet e përkushtuar për të kontribuar për paqen dhe stabilitetin në vend dhe rajon dhe se pret mbështetjen e vazhdueshme të Austrisë për procesin e liberalizimit të vizave, si dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

Në kontekst të diskutimit me ambasadorin Weidinger, Osmani ka folur  edhe për organizimin e Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, në muajin tetor të këtij viti në Prishtinë.

Kujtojmë se ne veri të Kosovës, serbët lokal barrikaduan rrugët të cilat të dërgonin në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bernjak.

Ky barrikadim erdhi në shenjë proteste për dy vendimet e Qeverisë se Kosovës, si masa të reciprocitetit me Serbinë për targat dhe dokumentet.

Me kërkesën e partnerëve ndërkombëtar, Qeveria e Kosovës pezulloi vendimet për 30 ditë me kushtin që të largohen të gjitha barrikadat në veri të Kosovës.

Kështu, në ditën e dytë të tensioneve u larguan të gjitha barrikadat nga veriu.

Pa u bërë një javë nga këto tensione, në drejtimin e Policisë së Kosovës është shtënë dhjetë herë me armë zjarri në Liqenin e Ujmanit.

Nga autoritetet e Kosovës është cilësuar se ky sulm ka ardhur nga strukturat kriminale në veri të Kosovës./Shqip.com