Lajme

SHBA kërkon që reciprociteti të shtyhet për 30 ditë

Ambasadori i ri i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, ka thënë se kërkesa e SHBA-së është që të shtyhet për 30 ditë implementimi i reciprocitetit për dokumente me Serbinë.

Ai ka deklaruar se Shetet e Bashkuara të Amerikës pajtohen me vendimet, por jo dhe kohën e zbatimit.

“Kam ardhur këtu sot sepse, jam i shqetësuar për situatën në veri të Kosovës. Së pari dua të flas pak për vendimet për dokumentet për hyrje dhe largim nga vendi dhe vendimin për targat dhe dokumentet. Nga perspektiva e Shteteve të bashkuara të dy vendimet janë të duhurat dhe konsistojnë me marrëveshjen e Brukselit. SHBA-t nuk kanë asnjë kundërshtim për këto vendime, por ne kemi pasur dialog me qeverinë për zbatimin e këtyre vendimeve dhe kohën e tyre”, tha ai pas takimit me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

Tutje, Hovenier shtoi se kërkesa e SHBA-s është që të shtyhet data e implementimit.

“SHBA-ja nuk ka pasur shqetësim për vendimin. Kam pasur takim me presidenten Osmani, kryeministrin Kurti, zëvendëskryeministrin Osmani dhe ministren e Jashtme, Gërvalla, për të bërë një kërkesë të qartë nga Qeveria e SHBA-së që të shtyhet implementimi i vendimit për 30 ditë. Mendoj se shtyrja e implementimit do të ishte e rëndësishme, pasi duket se ka pasur dezinformata dhe keqkuptime për vendimin. Shpresojmë të punojmë me partnerët tanë në BE që të reduktohen tensionet. Ne nuk po kërkojmë anulimin e vendimit të jem i qartë, por shtyrjen”, ka thënë Hovenier, që ka shprehur shqetësimin për tensionet në veri.

Ai ka shtuar se nuk kanë kërkuar që këto vendime të rishikohen, por vetëm që të shtyhet që të ketë më shumë qartësi.

Ai po ashtu ka dënuar veprimet e grupeve serbe në veri të Kosovës.

Ky takim vjen pas tensionimit të situatës në veri të vendit.

Serbët lokalë në veri të Kosovës kanë bllokuar me kamionë, dhe me mjete tjera, rrugët që çojnë drejt dy pikëkalimeve kufitare që lidhin Kosovën dhe Serbinë – Jarinjë dhe Bërnjak.Bllokadat vijnë një ditë para se të hyjnë në fuqi dy vendime të Qeverisë së Kosovës që kanë të bëjnë me targat dhe dokumentet serbe./Shqip.com