Kulturë

Shqipëria i dorëzon Italisë pianon antike të vjedhur të shekullit XVIII

Autoritetet e Shqipërisë ia dorëzuan Italisë pianon antike të shekullit XVIII, pjesë e trashëgimisë kulturore italiane, e cila ishte vjedhur në 2015 në Konservatorin e Parmës.

Pianoja e vjedhur në vitin 2015 në Konservatorin e Parmës në Itali, erdhi në Shqipëri me shpresën për tu shitur.‘Clavikorda’ e shekullit të XVIII, pjesë e trashëgimisë italiane, u gjet në një dyqan instrumentesh muzikore në Shqipëri, raporton Abcnews.

Dorëzimi i saj u bë në Ministrinë e Drejtësisë, nga ministria e Kulturës për komandantin e Karabinierëve për trashëgiminë kulturore.

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, dorëzimin e instrumentit e vjedhur e konsideroj si një shenjë e bashkëpunimit serioz me Italinë.

“Është një shenjë e bashkëpunimit serioz me një vend mik që është Italia. Ne duam ta shtrijmë këtë bashkëpunim në të ardhmen pse jo për të bërë të mundur riatdhesimin reciprok të të gjitha veprave të trashëgimisë kulturore. Këto vepra të shkojnë aty ku ishin sepse janë pronë e popullit italian. Janë tregues i qartë i identitetit tonë kombëtar”, tha Manja.

Sipas raportimeve, vjedhja e instrumentit ndodhi në Konservatorin ‘Arrido Boito’ në Parma më 5 janar të vitit 2015.