Qyteti lindor i Ukrainës që ka rol kyç në qëndresë është pranë rënies
Rusia vazhdon të jetë tejet prezentë në regjionin lindor të Ukrainës, ku edhe i ka fokusuar forcat.
Qyteti kyç lindor i Severodonetsk tani është nën terrorin e forcave ruse të cilët po kryejnë një ofensivë të madhe.
“Situata në Severodonetsk është sa më e ndërlikuar që të jetë e mundur,” shkroi Guvernatori rajonal i Luhansk, Serhiy Haidai në Telegram, raporton BBC.
Ai shtoi se i gjithë rajoni ishte nën bombardime të vazhdueshme – “bomba ajrore, artileri dhe tanke. Gjithçka”.

“Përpjekjet kryesore të rusëve tani janë përqendruar në vendosjen e kontrollit mbi qytetin”, shkroi ai.
Ai foli gjithashtu për televizionin shtetëror ukrainas më herët, duke thënë se “situata në qytet mbetet shumë e vështirë” dhe trupat ruse po përparonin ngadalë drejt qendrës. “Lufta vazhdon,” tha ai.
Pasi nuk arritën të pushtojnë të gjithë Ukrainën, forcat ruse tani po synojnë Donbasin – një rajon i përbërë nga rajonet Donetsk dhe Luhansk.
Nëse Severodonetsk dhe qyteti i afërt i Lysychansk bien, i gjithë Luhansk do të pushtohej brenda pak kohësh.
Përndryshe, në Ukrainë po zhvillohet dita e 97-të e luftës, që prej se filloi më 24 shkurt të këtij viti./Shqip.com