Lajme Kush ndikohet nga rritja e pagës minimale në Kosovë?

Rritja e pagës minimale prekë rreth 105 mijë punëtorë, 94 për qind e tyre në sektorin privat

Ilustrim.

Rritja e pagës minimale pritet të prekë rreth 30 për qind të tregut të punës apo rreth 105 mijë punëtorë.

Kështu thuhet në raportin e Institutit GAP, “Kush ndikohet nga rritja e pagës minimale në Kosovë?”, bazuar në të dhënat e Administratës Tatimore të Kosovës.

Prej tyre, 94 për qind rezultojnë të jenë punëtorë të sektorit privat.

 “Nga ta, rreth 30 mijë punonjës (28%) janë të punësuar në sektorin e tregtisë me shumicë dhe pakicë; 16 mijë (15%) në industrinë përpunuese; rreth 12 mijë (11%) në gastronomi; rreth 11.8 mijë (11%) në aktivitetet financiare dhe të sigurimit; 8.5 mijë (8%) në ndërtimtari, etj”, thuhet në raport.

Paga minimale në vend nuk është rritur që nga viti 2011, derisa në fillim të muajit prill Qeveria ka propozuar rritje në 264 euro bruto.

Por, me këtë propozim nuk janë pajtuar sindikatat e punëtorëve, të cilët kanë kërkuar pagë minimale mbi 300 euro.

Megjithatë, sipas Institutit GAP, rritja e pagës minimale mund të rris shkallën e mos deklarimit të punëtorëve.

Për këtë, krahas rritjes së pagës minimale, është kërkuar rritja e kapaciteteve mbikëqyrëse.

“Marrë parasysh ndikimin që mund të ketë rritja e pagës minimale në punësim, sidomos tek të rinjtë apo tek punonjësit me më pak shkathtësi, siç tregojnë gjetjet e studimeve të ndryshme, nivele tjera më të larta të pagës minimale sikurse prej 300, 350 apo 400 euro, e prekin një numër të lartë të punonjësve në tregun e punës dhe mund të dëmtojnë qytetarët dhe ekonominë e Kosovës, meqë sektorët më të prekur njëherësh janë edhe sektorët me shkallën më të lartë të informalitetit në vend”, thuhet në raport.

Me 12 prill, Qeveria ka miratuar pagën minimale prej 250 neto, nga 130 deri 170 sa është aktualisht.

Por, propozimi i Qeverisë ende nuk është vendosur për diskutim në Kuvend, për të marrë përkrahjen e deputetëve për ndryshimet e nevojshme ligjore./SHQIP.com