Lajme

Durmishi paralajmëron padi ndaj PDK-së për shpifje: Nuk janë kontrata të negociuara

Partia Demokratike e Kosovës e ka akuzuar Ministrinë e Infrastrukturës për keqpërdorim të 9 milionë eurove.

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, në një prononcim për Shqip.com ka paralajmëruar padi ndaj PDK-së për shpifje.

“Ta shohim saktësisht cila prej këtyre mund të konsiderohet shpifje dhe me përgatit një padi”, është shprehur Durmishi.

Zëvendësministri i Infrastrukturës, ka bërë të ditur se krejt këto janë të pavërteta, por sipas tij të gjitha janë aneks kontrata për punë shtesë.

“Nuk bëhet fjalë për keqpërdorim të buxhetit çdo gjë është në kuadër të procedurave ligjore, janë aneks kontrata për punë shtesë deri në 10%, sepse askush nuk është më i kujdesshëm si ne për buxhetin”, ka thënë Durmishi.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka bërë të ditur se nga 22 marsi 2021, pra nga dita e parë e qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti e deri më 7 prill të këtij viti, Ministria e Infrastrukturës ka keqpërdorur paratë e taksapaguesve përmes procedurës së shpërblimit e marrëveshjeve nën tavolinë.

“Ministria e udhëhequr nga Liburn Aliu dhe Hysen Durmishi, për një vit, kanë nënshkruar 42 kontrata një burimore, apo 42 kontrata të negociuara, pa konkurrencë dhe vlera e tyre në total arrin mbi 9 milionë euro. Pra, mjafton të shikojmë në të kaluarën dhe ky është një rast i paprecedent.” tha Tahiri./Shqip.com

Lexo edhe:
PDK: Ministria e Infrastrukturës keqpërdori mbi 9 milionë euro në 42 kontrata të negociuara