Haradinaj: Shuma nga 100 euro për sektorin privat, publik, pensionerët dhe studentët është e vogël

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se shuma prej 100 euro e cila do t’iu jepet punëtorëve të sektorit publik e privat, studentëve dhe pensionistëve, është e vogël.
Haradinaj në një konferencë për media ka thënë se Qeveria duhet të vapojë si qeveri e shtetit.
“Qytetarët kanë nevojë edhe për 1 euro, por nuk zgjidhet asnjë problem me masat që zgjasin vetëm 1 muaj. Është shumë e vogël shuma prej 100 euro që Albin Kurti të fshihet pas paaftësisë së tij për të rishikuar buxhetin që do të mundësonte zgjidhje të krizës financiare qytetare. Kjo shumë është e vogël që Kurti ta fsheh dështimin e tij për rritjen ekonomike dhe rritjen e pagave për të gjithë”, ka thënë ai.
Haradinaj gjithashtu ka thënë se të punësuarit në Kosovë kanë nevojë për paga të dinjitetshme dhe i bëri thirrje Qeverisë që t’i rrisë pagat për të gjitha kategoritë.
“Ne propozojmë që paga minimale të jetë 370 euro, pagat s’kanë lëviz, s’ka rritje të pagave me vite. Qeveria duhet që urgjentisht ta kalojë ligjin e pagave me rritje prej 33 për qind të pagave për të gjitha skemat pensionale”.
Kreu i AAK-së, ndër të tjera, ka thënë se duhet të kalojë ligji për tërheqjen e Trustit dhe qeveria t’ua kthej qytetarëve paratë për faturat e rrymës.
“Qeveria duhet të veprojë pa vonesë me zbrit TVSH-në për artikujt ushqimor dhe ta heq taksën për pagat nën 370 euro. Qysh sot të kalojë ligji për tërheqjen e trustit, të paktën 15 për qind dhe menjëherë pa vonesë me ua kthy paratë qytetarëve për faturat e fryra të rrymës”, tha Haradinaj./Shqip.com