Lajme

Prokuroria merr vendim për të arrestuarit e rastit të tërheqjes së 95 mijë eurove

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar që ndaj dy të arrestuarve I.A dhe SH.B t’i vazhdohet masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Kjo kërkesë e prokurorisë vjen pasi që ekziston dyshimi i arsyeshëm për veprën e kryer. Ata ndodhen nën masën e ndalimit 48 orësh për shkak të tërheqjes së 95 mijë eurove nga llogaria bankare e një personi tjetër, në degën e bankës BKT në Ferizaj.

“Ndaj të pandehurve I.A., dhe Sh.B., ekziston dyshimi i arsyeshëm se më 17 Nëntor 2021, në Ferizaj, përkatësisht në Bankën Kombëtare Tregtare (BKT), në bashkëkryerje me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për veten, i pandehuri SH.B., me anë të paraqitjes së rreme si klient, me dashje kanë sjell në lajthim zyrtarët e BKT-Dega në Ferizaj, duke nxitur që të kryejnë veprim në dëm të pasurisë së të dëmtuarit D.G., në atë mënyrë që pas marrëveshjes paraprake me të pandehurin I.A., njëherit menaxher në BKT-dega në Pejton, i cili duke mos verifikuar fare personin e thirrur në emrin e klientit D.G., është i vërteti, bisedon në telefon me homologun e BKT-Dega në Ferizaj dhe i rekomandon nëpunëses së tij që të shkruaj një e-mail degës në Ferizaj lidhur me atë që klienti do të vijë pasdite për tërheqjen e shumës prej nëntëdhjetë e pesë mijë (95,000) euro, ashtu që i pandehuri Sh.B., ka shkuar në ditën kritike dhe ka tërhequr shumën e parave të lartcekura”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Dy të pandehurit janë arrestuar të enjten nga Policia e Kosovës./Shqip.com