Lajme

Sejdi Hoxha jep dorëheqje nga pozita e kryetarit të degës së PDK-së në Drenas

Kryetari i Degës së PDK-së në Drenas, Sejdi Hoxha, jep dorëheqje

Sejdi Hoxha ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit të degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Drenas, njofton Shqip.com.

Me anë të një postimi në Facebook, Hoxha ka treguar arsyet e dorëheqjes, duke thënë se PDK-ja ne qendër ka injoruar dhe neglizhuar situatën e krijuar në Drenas, duke mos e trajtuar atë me seriozitet.

Dega e kësaj partie në Drenas kishte emëruar Driton Ajazin si kandidat për kryetar të Drenasit në zgjedhjet lokale të 17 tetorit, por nga niveli qendror i PDK-së është kundërshtuar kjo, duke thënë se Ramiz Lladrovci do të jetë kandidat.

“PDK në qendër e ka injoruar dhe e ka neglizhuar situatën e krijuar në Drenas duke mos e trajtuar me seriozitetin që e meriton, prandaj edhe duhet ta mbaj pjesën e përgjegjësisë për këtë situatë”, ka thënë ai.

“Meqenëse problemet aktuale në degë tejkalojnë kompetencat e mia politike, unë në asnjë mënyrë dhe në asnjë rrethanë nuk do të lejoj qe dega të ndahet pak muaj para zgjedhjeve lokale, sepse kjo do të ju shërbej vetëm konkurrenteve tonë politik dhe askujt tjetër. Prandaj si zgjidhje e vetme e imponuar pa dëshirën time kam marrë vendim që të jap dorëheqje të pa revokueshme nga pozita e kryetarit të degës në Drenas”, njoftoi më tej Hoxha.

Ai thotë lidershipi i PDK-së nuk duhet të shantazhohet para asnjë individi kush do qoftë ai, çdo vendim i marrë nën presion apo shantazh është vendim jo i drejtë dhe i dëmshëm për partinë, si dhe lëkund besimin e strukturave dhe të qytetarëve tek lidershipi i PDK-së.

“Lidershipi i PDK-së nuk duhet t’i ndalë por duhet t’i vazhdoj reformat e nisura nga Kryetari Kadri Veseli, PDK nga ato reforma kishte grupin më të mirë parlamentar ky vlerësim ishte dhënë edhe nga opinionist, OJQ të ndryshme si dhe oponent tonë politik”, thotë më tej ai.

Ai më tej tregon se beson fuqishëm në kthimin e shpejtë të liderëve tonë nga Haga, kthimi i tyre do të krijoj stabilitet më të madh politik dhe do ta fuqizoj PDK-në, do të krijoi mundësi të barabarta për të gjithë, duke respektuar kontributin dhe meritokracin e secilit individ. /Shqip.com