Lajme Nënkryetari i Parlamentit Studentor për Shqip.com thotë se kërkesat e tyre ndaj MASHTI-t po hasin në vesh të shurdhër.

Arsimi i lartë publik falas nuk po vlen për të gjithë studentët, të diskriminuar ndihen ata me korrespodencë dhe të masterit

Vendimi që arsimi i lartë publik të jetë falas nuk është duke vlejtur për të gjitha kategoritë e studenteve.

Për këtë janë duke u ankuar studentët e masterit dhe ata me korrespodencë, të cilët tashmë kanë paguar semestrin verorë.

Studentja e juridikut, Altina Dajaku, e cila vijon mësimet me korrespodencë tregon se ka paguar 125 euro për semestrin verorë.

“Thonë që është arsim falas, por nuk vlen për të gjithë. Unë dhe shumë kolegë të mia jemi detyre më pagu semestrin. Nuk është aspak e drejtë duke e ditë se në anashkalohemi dhe diskriminoheni në shumë gjëra dhe nuk jemi të barabartë më ata të rregullt” është shprehur Altina Dajaku studente e vitit të tretë në UP për SHQIP.com.

Ndërsa, një student i masterit në kushte anonime thotë se për këtë vendim të ministrisë nuk janë të informuar me kohë.

“Kjo është një masë shumë e padrejtë, pasi unë kam paguar tre semestra nga 150 euro dhe tash duhet ta paguaj edhe semestrin e katërt, ndërkohë gjenerata e re nuk e paguan as një semester. Qeveria është thirrur në arsim falas pa pagesë, dhe ne nuk jemi informuar fare për këtë vendim.” është shprehur ai.

Parlamenti Studentor e vlerëson vendimin si diskriminues

Nënkryetari i Parlamentit Studentor të UP-së, Fatlind Azizi, në një prononcim për Shqip.com thotë se kur ka premtime që ka arsim publik falas, atëherë duhet të përfshihen të gjitha kategoritë dhe të mos bëhen ndasi të tilla.

Si rrjedhojë, ai tregon se numri i ankesave që po pranojnë nga studentët është shumë i madhe.

“MASHTI dhe Qeveria e Kosovës kanë treguar që do të ketë arsim publik falas, por fatkeqësisht studentët me korrespodencë nuk janë përfshirë në lirimin nga pagesat. Ka pasur shumë ankesa fatkeqësisht, të cilët të gjitha i kemi marrë parasysh dhe i kemi nisur kërkesën tonë MASHTI-t e cila deri më tani ka hasur në vesh të shurdhër, për shkak të arsyetimeve se ata nuk janë studentët të rregullte dhe “studentët me korrespondencë gjithkund paguajnë tarifa”.

Madje ai shtoi se ky udhëzim që nga fillimi ka qenë shumë i paqartë.

“Ky udhëzim ka qenë shumë i paqartë që nga fillimi pasi që është bërë shpejt e shpejt para se të fillohet viti akademik 2021-22, në të cilën studentët as që janë konsultuar. Ky UA ka ndryshuar disa herë që nga fillimi për shkak të paqartësive dhe hapësirave të mëdha për interpretime. Prandaj, ky udhëzim ende është i papërfunduar dhe i paqartë. Fatkeqësisht në shumicën e kohës jemi injoruar kur kemi kërkuar ndryshime dhe vetëm pas presioneve dhe paralajmërimeve për protesta kanë ndryshuar gjërat në të mirë”.

Ai tha se me anë të këtyre paqartësive krijohen precedentë të pazakontë që mund të sjellin kaos në vitin tjetër.

Ndërsa nga Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në një përgjigje për SHQIP.com kanë thënë se udhëzimi administrativ nuk e përfshin këtë kategori.

“Udhëzimi administrativ , Nr.09/2021 nuk e parasheh këtë kategori të studenteve, neni 2, paragrafi 1,2”.

Ndryshe, ministrja, Arbërie Nagavci, në udhëzimin e publikuar në muajin shtatorë ka deklaruar se duke filluar nga viti akademik 2021/2022, arsimi i lartë publik do të jetë pa pagesë për të gjithë ata që dëshirojnë të studiojnë në nivelet baçelor dhe master, ndërsa për studentët e doktoratës do të ketë lehtësi të veçantë.

Ndërsa nga vendimi përjashtohen studentët me korrespodencë, ata në doktoratë si dhe të gjitha nivelet që e regjistrojnë semestrin për herën e dytë./SHQIP.com